E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha të mos bëjë pazar me shtetësinë dhe kombësinë shqiptare

Share

Pas propozimit të kryeministrit Berisha për ti dhënë shtetësinë shqiptare çdo personi që do të investojë 100 mijë euro në Shqipëri, ka reaguar Aleanca Kuq e Zi. Kjo e fundit e ka kundërshtuar ashpër këtë nismë të Berishës, duke kërkuar nga kryeministri që të mos bëjë pazar me shtetësinë dhe kombësinë shqiptare.

Aleanca Kuq e Zi e ka cilësuar shumë të rrezikshëm propozimin e Berishës, duke qenë se me 100 mijë euro mund të përfitojnë kombësinë shqiptare persona të dyshimtë dhe me elementë kriminalë.

“Aleanca Kuq e Zi shprehet kundër këtij projekt/ligji pasi ai diskriminon shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës të cilët duhet të ndjekin një procedure 5 vjeçare në pritje për të marrë shtetësinë shqiptare, ndërkohë që kryeministri ja ofron këtë shtetësi një afgani, iraniani, kinezi apo rusi vetëm për 100 mijë euro. Aleanca Kuq e Zi deklaron së ky projekt/ligj e kthen marrjen e shtetësisë shqiptare në pazar të hapur për këdo që në vendin origjinës së tij mund të ketë probleme të gjithëçfarëdoshme nga ato sociale dhe kriminale, i cili do të kishte mundësinë të maskohej dhe fshihej për vetëm 100 mijë euro. Ky projekt/ligj lë shkas për përfitime nga elementë kriminal. Aleanca Kuq e Zi thekson se prioritet në ligjin për shtetësinë shqiptare duhet të ketë origjina e aplikantëve dhe jo parat e investitorëve të përkohshëm, ndaj AK propozon që ky projekt/ligj ti nënshtrohet debatit publik  dhe transparent përpara se të nisi zbatimin, pasi efektet duhet të parashikohen përpara zbatimit. Aleanca Kuq e Zi me keqardhje konstaton se problemet ekonomike që po hasen në shoqërinë shqiptare nuk mund të zgjidhen duke shitur pasaportën shqiptare për 100 mijë euro,” thuhet në deklaratën e AK. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›