Berisha tërhiqet nga gazetarët,“fiton” 28 qershorin dhe 8 majin
Kryeministri, në shkëmbim të garancisë për të mos zhvilluar zgjedhje të parakohshme, për të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe për të mbajtur zgjedhjet lokale në datën që janë përcaktuar, tërhiqet nga komisioni hetimor dhe nga tabulatet për gazetarët
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha është tërhequr nga qëndrimi i tij për katër gazetarët, Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Cakulli dhe Mero Baze. Ndryshe nga deklarata e mbajtur në mbledhjen e qeverisë 24 orë më parë, dje kryeministri i vendit ka përcjellë mesazhe tërheqje për gazetarët, pas takimit të zhvilluar me Drejtorin Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, z. Miroslav Lajcak. Kjo është konfirmuar qartazi edhe në njoftimin për shtyp të Kuvendit, ku ndër të tjera thuhet se, “komisioni hetimor parlamentar revokoi kërkesën për marrjen e tabulateve të 4 shtetasve që ushtrojnë detyrën e gazetarit”. Tërheqja, sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit, vjen pas vlerësimit të shqetësimit të përcjellë në komision nga miqtë ndërkombëtare dhe shoqatave të gazetarëve si dhe duke vlerësuar se një qëndrim i tillë nuk dëmton hetimin e mëtejshëm të komisionit hetimor. Kjo ishte tërheqja e parë jo e dhimbshme që Berisha luajti para përfaqësuesit të BE-së Lajcak, duke pasur parasysh faktin se një kërkesë të tillë nuk e mbështeste askush. Karta e dytë që kryeministri luajti ishte pikërisht puna e komisionit hetimor aq shumë e trumbetuar nga ai, kohët e fundit. Në njoftimin për shtyp të kryeministrisë thuhet se, Berisha e siguroi z.Lajcak se Komisioni Hetimor Parlamentar po investigon vetëm veprimtarinë e institucioneve dhe se çdo fakt, dokument apo të dhëna që Komisioni do të mbledhë gjatë veprimtarisë së tij do t’i dërgohet, ashtu siç përcakton ligji, Prokurorisë së Përgjithshme për të ndihmuar në hetimet e mëtejshme e të plotë të ngjarjeve. Një lëvizje e tillë për të sfumuar jo pak punën e këtij komisioni u dallua qartë edhe nga hapat e mëtejshëm të komisionit hetimor ditën e djeshme, nga ku u njoftua se seanca dëgjimore me Drejtorin e Policisë së Shtetit nuk do të zhvillohej sot. Pra kryeministri i vendit dje në takimin me Lajcak hoqi dorë nga kërkesa për tabulatet e gazetarëve, si dhe sfumoi jo pak veprimtarinë e komisionit hetimor parlamentar, duke theksuar rolin parësor të prokurorisë në hetimin e plotë të 21 janarit.
Shkëmbimi
Të dyja këto tërheqje taktike të Berishës u bënë në këmbim të një mesazhi të rëndësishëm që ai mori nga BE-ja përmes Lajcak. Së pari, për BE-në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës janë një kapitull i mbyllur dhe se zgjedhje të parakohshme nuk janë një tezë që mbështeten nga ata. Lajcak përcolli gjithashtu një tjetër mesazh po aq të rëndësishëm për dinamikën e situatës politike në vend se partitë duhet të përqendronin të gjitha energjitë e tyre në përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 8 Majit në përputhje me standardet ndërkombëtare. Njoftimi për shtyp i kryeministrisë shkonte edhe më tej në qëndrimet që Lajcak ka mbajtur gjatë takimit me kryeministrin Berisha. “Lajcak theksoi se Bashkimi Europian është kundra betejave politike jashtë kuadrit institucional, kundra çdo aktiviteti që mund të provokojë akte dhune të mëtejshme, asnjë mbështetje për bojkotim dhe bllokim të procesit zgjedhor, cilido që loz me këto tre karta humbet çdo kredibilitet në sytë e ndërkombëtarëve”, - thuhej në njoftimin për shtyp të kryeministrisë. Kësisoj vizita e Drejtorit Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, Miroslav Lajcak, është shfrytëzuar më së miri nga kreu i ekzekutivit në vend, i cili kundrejt marrjes së garancisë për të mos zhvilluar zgjedhje të parakohshme, për të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe për të mbajtur zgjedhjet lokale në datën që janë përcaktuar, ai hoqi “dorë” nga komisioni hetimor dhe nga tabulatet për gazetarët.