Prendi: Gardistët qëlluan në ajër, prokurorët na pyetën e na lanë të lirë
Komandanti i Gardës ka shpjeguar para Komisionit Hetimor rrethanat e plagosjes së 81 efektivëve dhe planin e masave gjatë demonstratës së 21 Janarit. “Ish-komandanti i Gardës, Çuko, hyri brenda rrethimit të Kryeministrisë. Kemi vendosur masa shtesë për kreun e opozitës, Kryeprokuroren dhe kreun e SHISH”
Tiranë Komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, tha dje para Komisionit Hetimor se të gjithë vartësit e tij kanë qëlluar në ajër, gjatë demonstratës së 21 Janarit. I thirrur për të dëshmuar mbi rolin e institucionit që drejton, Prendi, ndaj të cilit Prokuroria ka lëshuar një urdhër-ndalimi që prej datës 22 janar, tregoi se 81 punonjësit e Gardës ishin plagosur në pozicionet e tyre gjatë demonstratës, edhe pse nuk kishin asnjë lloj takimi me protestuesit. Prendi ka treguar më tej se rrethimi i Kryeministrisë ishte kaluar edhe nga ish-komandanti i Gardës, Arben Çuko, i cili i ishte bindur kur e kishte urdhëruar të dilte që aty. Sa i përket të ashtuquajturave negociata për dorëzimin e gardistëve, komandanti i Gardës ka treguar një version të ndryshëm nga ai i kryeministrit Berisha dhe i Prokurorisë. “Nëpërmjet drejtorit të Policisë së Shtetit jam informuar, nëse dëshiroj unë dhe gjithë efektivat e Gardës, për t’u paraqitur në Prokurori për të dëshmuar. Absolutisht jam shprehur dakord. Jemi paraqitur në drejtorinë e policisë së Tiranës, në prezencë të disa prokurorëve. Jemi pyetur dhe mbas 5 orësh na kanë lënë të lirë”,-tha ai.
A keni marrë informacione paralajmëruese nga policia?
Policia kriminale e kishte këtë informacion dhe e ka dhënë. E ka dhënë dy herë gjatë muajit janar.
Po Shërbimi Informativ, ju ka informuar?
Nuk kemi pasur asnjë informacion prej tyre.
Çfarë masash merren zakonisht në bulevard?
Në lidhje me bulevardin, duke patur parasysh se në bulevard janë zhvilluar jo një herë, por disa herë demonstrata, është një territor që quhet zonë e sigurisë së lartë për vetë pozicionin, ku ndodhen Presidenca, Kryesia e Parlamentit, Kryeministria dhe objekte të tjera. Si zonë e sigurisë së lartë, ne gjithmonë kërkojmë nga strukturat e policisë moslejimin e ngritjes së tribunave apo mitingjeve të gjata në këtë bulevard. Realisht, kjo zonë monitorohet nga kamerat e institucioneve, por edhe nga shërbimet e Gardës, në bashkëpunim me policinë.
Në njëfarë mënyre është krijuar ideja sikur trupat e Gardës kanë qëlluar menjëherë. 81 efektivët e Gardës si janë plagosur? A është respektuar rregullorja, a janë paralajmëruar personat që po sulmonin, që janë pranë një objekti të një rëndësie të veçantë?
Përreth 2 orë, nëse do të jem i saktë në kohë, nga goditje të vazhdueshme, deri edhe bomba tymuese dhe helmuese, ndezëse dhe djegëse, goditje me të gjitha mjetet, nuk ka pasur asnjë lloj reagimi nga efektivat e Gardës, por ka pasur vetëm mjekime dhe rikthim në detyrë. Për të mbrojtur objektin. Në të gjitha rastet, edhe në rastin kur është tentuar dhe shkatërruar porta, apo janë djegur pemë dhe është tentuar të shkatërrohet gardhi rrethues, veprimet e forcave të Gardës kanë qenë me shkop gome, me forcë fizike për të shmangur futjen e tyre në zonën e ndalur. Plus kësaj, janë bërë thirrje me megafon, të herëpashershme, u është treguar që kjo është zonë e rrezikshme, nga komandanti i njësisë që mbron objektin e rëndësisë së veçantë, në bashkëveprim me forcat e njësisë speciale, jam informuar se po bëhet çdo përpjekje për të mos lejuar kalimin e zonës së objektit të rëndësisë së veçantë. Jam informuar që hapja e zjarrit nga ne është realizuar vetëm mbasi turmat kanë vërshuar brenda objektit të rëndësisë së veçantë. Spostimi i tyre është bërë me mjete të tjera për t’i nxjerrë jashtë. Është realizuar falë profesionizmit, aftësisë dhe guximit të forcave të Gardës, me qëllim të mos dëmtohet asnjë. Zjarri realisht, fillimisht ka qenë manovër në ajër dhe ka vazhduar me fishekë me zjarr luftarak, po në ajër. Kjo është parë nga të gjithë, sepse, nëse do ishte hapur zjarr në turmë, do ishte tjetër gjë pastaj.
Efektivat e Gardës, përfshi eprorët, janë plagosur, duke u përpjekur, duke komunikuar me turmën dhe duke i paralajmëruar për perimetrin. Në këtë kontekst, plagën tuaj në fytyrë në një rrethanë të kësaj natyre e keni marrë atë ditë në terren?
Të gjithë efektivat e Gardës nuk kanë pasur asnjë lloj takimi me demonstruesit apo me organizatorët. Efektivat e Gardës kanë qëndruar në pozicionet e tyre, pa pasur asnjë lloj komunikimi apo veprimi. Të gjitha dëmtimet e anëtarëve të Gardës janë shkaktuar në vendet e tyre, në pozicionet e tyre, duke kryer detyrën e tyre.
Po shenjën që ju ka ngelur juve, e keni marrë në datën 21 apo më parë?
Patjetër që komandanti i Gardës ka qenë në krye të detyrës, në objektin e rëndësisë së veçantë, ku asnjë segment, asnjë centimetër nuk ka ngelur pa qenë pjesë e goditjeve nga demonstruesit.
Cila është gjendja sot e gatishmërisë dhe ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore, a është një gjendje me siguri me të ulët, në krahasim me më parë apo është rritur?
Që nga data 21, efektivat e Gardës janë në gatishmëri. Në plane shërbimi shtesë.
Do të thotë që janë shtuar rojet?
Në gjendje gatishmërie ka grupe të gatshme në mbështetje të shërbimeve permanente. Shërbimi vazhdon normalisht, por ka grupe të gatshme përforcuese për të ndihmuar shërbimet permanente, në rast të një situate të avancuar. Që nga data 21 janar, duke pas parasysh situatën dhe informacionet e mëvonshme për të gjitha personalitetet, përfshirë kreun e opozitës, janë vendosur masa shtesë maksimale mbi bazën e cilësisë apo sasisë së kërcënimit, janë vendosur masa shtesë për kreun e SHISH-it, Prokuroren e Përgjithshme dhe gjithë personalitetet. Është rritur niveli i mbrojtjes.
Gjeneral, nëse mund të thuhet, sa ishte numri i efektivave të Gardës të mobilizuar atë ditë?
Ne kemi një plan masash dhe mbi bazën e këtij plani të gjitha strukturat hartojnë planin e veprimit, të ndarë në grupe të gatshme me grupe të shërbimeve të pjesshme me grupe mbështetës. Jo vetëm komisionit hetimor parlamentar, por edhe prokurorisë që më datën 21 në darkë i janë vënë në dispozicion të gjitha materialet që kanë kërkuar.
Në aspektin kohor, në çfarë kohe ishte shtrirë ky plan masash. Vetëm për datën 21?
Në hartimin e planit të masave Garda ka qenë e kufizuar në kohë për faktin që edhe njoftimi i demonstratës, pavarësisht se ishte njoftuar si datë, nuk ka pasur një konfirmim të saktë në kohë nga Policia e Shtetit për të konfirmuar në strukturat e opozitës për një konfirmim zyrtar. Patjetër që ka pasur një plan masash, që në datën 19 dhe është vënë në dijeni në datën 21, me të marrë njoftimin nga policia.
Ju thatë se u janë plagosur 81 efektiva. Thatë që formacioni i Gardës është i skalionuar në tre rrethime. 81 efektivat e Gardës, të plagosur, ishin nga rrethimi i jashtëm apo i kombinuar me rrethimet e tjera?
Plagosja e efektivave të Gardës, përqindja më e madhe ka qenë nga rrethimi i jashtëm. Ka pasur plagosje edhe nga rrethimi i brendshëm, për faktin se të gjitha dyert, e sidomos dritaret e katit të parë, janë goditur në vazhdimësi me mjete të ndryshme.
Në murin rrethues kanë hyrë shumë persona, pasi është shpërthyer dera.
Desha të di ju keni njohur ndonjë nga ata persona që kanë hyrë brenda objektit?
Goditja e objektit ka qenë në disa drejtime. Shkatërrimi ka qenë te porta nr.1, por rrezikshmëria ka qenë në shumë drejtime. Shkatërrimi i portës nr.1 dhe futja e njerëzve brenda apo goditja me automjet, e cila do të kishte qenë tragjike për gardistët nëse nuk do të pengohej nga ura. Në këtë moment, unë kam qenë i kufizuar në pamje, pasi nuk kam qenë në vijën e parë. Por në kohën e një pauze të sulmeve të vazhdueshme, është futur në perimetrin e rrethimit ish- komandanti i Gardës, Arben Çuko.
Brenda objektit?
Brenda objektit. Është ndaluar nga forcat e Gardës. Jam vënë në dijeni, kam shkuar dhe e kam takuar dhe i kam thënë urgjentisht të dalësh përjashta. Ai ka zbatuar urdhrin.
Përveç ministrit të Brendshëm, a keni komunikuar me ndonjë personalitet tjetër gjatë momenteve të sulmit? A ju ka telefonuar dikush tjetër?
Siç ju informova, unë kam komunikuar me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, nëpërmjet qendrës së drejtimit. Kam komunikuar me ministrin e Brendshëm dhe nuk kam pasur asnjë lloj komunikimi tjetër, me asnjë lloj personaliteti të lartë shtetëror. Asnjë lloj telefonate.
A keni bërë ju ndonjë raport për atë çka ndodhi, për policët e plagosur dhe a ia keni referuar Prokurorisë?
Të gjitha strukturat e Gardës, pas një ngjarje të ndodhur përgatisin një raport, ia japin shefit të Shtabit për një analizë konkrete dhe kjo është bërë. Nuk jam në dijeni nëse ky raport është kërkuar nga Prokuroria. Ato janë në dispozicion konform të gjitha rregullave. Si komandant Garde, por edhe asnjë drejtues apo efektiv nuk ka asnjë kërkesë me shkrim nga Prokuroria për t’u paraqitur. Unë nuk kam asnjë shkresë zyrtare nga Prokuroria. Kemi pasur një kërkesë nga Komisioni hetimor për të vënë në dispozicion një material mbi veprimet e Gardës në përgjithësi, por edhe për datën 21, të cilin ua kemi paraqitur. Në lidhje me plagosjen e efektivave, një komision mjeko-ligjor nga Prokuroria ka kërkuar verifikimin e efektivëve, të cilët janë vënë në dispozicion. Nga efektivat e Gardës nuk ka pasur asnjë lloj kallëzimi.
Jemi informuar se një pjesë e zinxhirit të Gardës jeni paraqitur për të dhënë dëshmi në Prokurori. A e ka marrë këtë dëshmi Prokuroria?
Nëpërmjet drejtorit të Policisë së Shtetit jam informuar, nëse dëshiroj unë dhe gjithë efektivat e Gardës për t’u paraqitur në Prokurori për të dëshmuar. Absolutisht jam shprehur dakord. Jemi paraqitur në drejtorinë e policisë së Tiranës, në prezencë të disa prokurorëve. Jemi pyetur dhe mbas 5 orësh, na kanë lënë të lirë.
Mbas datës 21 janar, a ka patur kërkesa të tjera nga Prokuroria? Kërkesa proceduriale? Ka pasur ndonjë kërkesë të refuzuar nga ju, nga institucioni juaj?
Që më datën 21 në darkë, kur situata ka qenë jashtëzakonisht problematike, të gjitha kërkesat që janë bërë nga Prokuroria, qoftë në vendin e ngjarjes, qoftë në strukturat e Gardës, është dhënë porosi nga ana ime që t’i jepet çdo gjë që kërkojnë, konform të gjitha rregullave ligjore. Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë pengim.