E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha tërhiqet nga referendumi, pranohet nisma e PS-së për ndryshimet kushtetuese

Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë gazeta TemA, kryeministri Berisha është tërhequr nga ideja e tij për referendum. Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, është rënë dakord që në kalendarin 3-javor të punimeve të futen propozimet e Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese.

Diskutimet për këto ndryshime pritet të nisin me 6 shtator në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.

Kjo nënkupton se nuk do të ketë referendum për imunitete, duke qenë se opozita ka pranuar me kohë kufizimin e imuniteteve, por me kushtin që të kalohet bashkë me disa ndryshime të tjera kushtetuese.

Një gjë e tillë u paralajmërua ditën e djeshme nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Për ne rëndësi kapitale ka pasur dhe ka heqja e imunitetit dhe jo rrugët e heqjes së tij, tha dje ajo.

Relativizmi i mënyrës se si do të hiqet imuniteti është një tërheqje e fortë pas e Berishës, pas parlajmerimit të tij për referendum donkishotesk, ndërkohë që opozita është dakord me draftin për heqjen e imunitetit.

Pasiguria e Berishës shtohet nga fakti se aleati i tij në qeveri, Ilir Meta, ka paralajmëruar se nuk do të mbështesë shkuarjen në referendum për heqjen e imunitetit, për sa kohë opozita është e gatshme ta miratojë atë në një seancë parlamentare.

Gazeta Tema paralajmëroi dy ditë më parë se Berisha e kishte shpikur lojën e referendumit për të negociuar me Ilir Metën çështjen e kryeprokurorit.

Tërheqja e Berishës dhe sinjalet e tij për një kthesë në këtë drejtim, duket se po i japin më shumë shanse miratimit të heqjes së imunitetit në Kuvend dhe lënies së hapur te negociatave mes tij dhe Metës për çështjen e kryeprokurorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›