Internacionalja Socialiste, Rama kërkon mbështetje për integrimin
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka kërkuar mbështetjen e plotë të vendeve anëtare në Internacionalen Socialiste për procesin integrues të Shqipërisë. Ndërsa ka marrë pjesë në Kongresin e 24 zgjedhor të Internacionales Socialiste, zhvilluar në Cape Toën, Afrikë e Jugut, lideri i opozitës shqiptare zhvilloi takime me Kryeministrin belg Elio di Rupo, Kryeministrin rumun Victor Ponda dhe drejtuesit e partisë Socialdemokrate gjermane dhe socialiste franceze.
Një takim të veçantë lideri socialist pati edhe me Phil Angelides, Kryetar i Komitetit për hetimin e krizës financiare në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, emëruar nga Presidenti Obama me miratimin unanim të Kongresit. Gjatë këtij takimi, biseda mes Ramës dhe Angelides u përqendrua në situatën ekonomike që po kalon Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë.
Një temë e rëndësishme që u diskutua ishte edhe programi i Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, duke u përqendruar në çështjet më delikate si punësimi dhe taksimi i ndershëm. Zoti Angelides u shpreh jo vetëm në mbështetje të programit të Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, por gjithashtu u angazhua për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e mëtejshëm të programeve që kanë të bëjnë me taksimin e ndershëm.
Në kongresin e Internacionales Socialiste, u rizgjodhën në detyrën e Presidentit të Internacionales Jorgo Papandreu dhe në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm Luis Ajala.