Berisha, thirrje Ramës: Lejo grupin të votojnë për heqjen e imunitetit më 6 gusht
Kryeministri Sali Berisha ftoi kryetarin socialist, Edi Rama që në seancën e 6 gushtit të lejojë deputetët socialistë të votohet për heqjen e imunitetit, pasi me këtë akt fitojnë të gjithë.
Deklaratat e kryeministrit janë bërë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike paraditen e sotme.
“Heqja e imunitetit është qëllim madhor dhe kundërshtohet vetëm nga ata që nuk pranojnë të jenë të barabartë me qytetarin përpara ligjit”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha është shprehur se mazhoranca i ka bërë të gjitha lëshimet që opozita të votojë për heqjen ose kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë.
“Ende zoti Rama mesa duket nuk do pranojë të votojë për heqjen e imunitetit dhe kalon nga një pretekst absurd në tjetrin. Edhe njëherë dua t’i qartësoj qytetarët se, kjo mazhorancë i ka bërë Ramës çdo lëshim të mundshëm me qëllim që ai të lejojë grupin të votojë më 6 gusht. Është zoti Rama që ka kërkuar për 7 vjet me radhë që heqja e imunitetit të bëhet nëpërmjet ndryshimeve të kushtetutës dhe ne këtë e pranuam, – theksoi Berisha.
Sipas Kryeministrit, duhet shembur muri i imunitetit, pasi ai përdoret për korrupsion dhe për trafiqe kriminale.
I bëj thirrje z.Rama që një akt të tillë madhor ta shndërrojë në histori suksesi. Kjo sështë garë për kredibiletet. Kështu i dërgojmë një sinjal pozitiv edhe miqve ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar disa herë heqjen e imunitetit.
Pas këtyre deklaratave të Berishës, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të PS, Edi Rama, i cili në një mesazh të postuar në Twiter ka theksuar se, kryeministri është duke notuar në një det gënjeshtrash dhe se nuk është opozita fajtore për krimin dhe korrupsionin në vend gjatë kësaj qeverisjeje.
30 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
Berisha, thirrje Ramës: Lejo grupin të votojnë për heqjen e imunitetit më 6 gusht burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip