Topalli-opozitës: Votoni heqjen e imunitetit më 6 gusht, ose mbani koston politike
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka përsëritur edhe një herë apelin drejtuar opozitës, që më 6 gusht të votojnë për heqjen e imunitetit. Deklaratat e saj u bënë gjatë takimit të zhvilluar me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë Sh.T.Z. Abdulkarim Al Doghmi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Topalli theksoi se ndryshimet kushtetuese lidhur me imunitetin kanë 9 vjet që diskutohen nga politika shqiptare dhe ky është momenti i duhur për ti votuar ato.
Është momenti për të votuar ato ndryshime për të cilat ka filluar diskutimi prej 9 vitesh. Këtu ndahen gjërat. Nëse gjatë kësaj periudhe nga opozita është folur për kulturën e pandëshkueshmërisë, unë e dëgjoj me shumë seriozitet dhe e marr shumë seriozisht nëse ajo thotë diçka. Është rasti për ti qëndruar diskutimeve të tyre, qoftë edhe për mungesën e ndëshkueshmërisë më disa raste, nëse e kanë seriozisht. Nëse ato gënjejnë kësaj radhe, natyrisht ato do marrin koston që i takon politikanit për të vepruar ndryshe nga ato çfarë thonë, – deklaroi Topalli.
30 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
Topalli-opozitës: Votoni heqjen e imunitetit më 6 gusht, ose mbani koston politike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip