Berisha thirrje për protestën: Të gjitha partitë e qytetarët ti bashkohen aleancës kundër Ramës

Partia Demokratike ftoi sot të gjithë qytetarët ti bashkohen protestës, ditën e shtunë në orën 17.00 para selisë së qeverisë.
Gjatë një takimi me aleatët, kryetari i PD Sali Berisha vuri në dukje se në themel të protestës është korrupsioni i mazhorancës socialiste dhe luksi në të cilin sipas tij jeton kryeministri Edi Rama duke shfrytëzuar për këto akuza edhe deklaratat publike të ish numrit 2 të qeverisë Arben Ahmetaj
“Se kur ulet me një shishe verë 33 mijë euro dhe pi 200 pensione brenda dy orësh. Se kur ble një vazo 5 milionë euro në oborr për të qetësuar sytë e tij. Prandaj dhe nesër është dita e qytetarëve. Nesër duhet të flasin qytetarët me praninë e tyre, me forcën e tyre në këtë protestë. Sepse ky po i poshtëron çdo ditë. Ky kudo thotë, sa më shumë vjedh, aq më shumë më votojnë. Sepse ky i shndërron paratë e vjedhura në votë dhe votën në vjedhje”, tha Berisha.
Berisha shfrytëzoi takimin me aleatët, për të ftuar të gjitha partitë opozitare të bashkohen në një koalicion kundër kryeministrit Edi Rama.
“Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara. Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës”, shtoi ai.
Ndërkaq gjatë një konference me gazetarët, Berisha u ndal tek ndryshimi i kodit zgjedhor dhe vota e diasporës. Berisha përsëriti se nuk voton propozimet e PS për ndërhyrje në kod nëse nuk lejohen të votojnë emigrantët që nuk kanë një pasaportë biometrike shqiptare, por kanë një pasaportë italiane, amerikane apo gjermane.
Por sot Berisha sqaroi se PD do të votojë ndërhyrjen në ligj që garanton që qeveria të paguajë postën për fletën e votimit të diasporës. /vizionplus.tv