Berisha thirrje policëve: Mos e mbroni Edi Ramën! Ka përzënë gjysmën e qytetarëve dhe ka zhytur institucionet në drogë e krim! Frymëzohuni nga djemtë dhe vajzat guximtarë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu bëri thirrje efektivëve të policisë që të mos e mbrojnë më Edi Ramën, ndërsa përballet prej një jave me revoltën studentore, e cila është shoqëruar me tensione dhe trazira të shumta.

Në daljen e sotme për mediat, kryedemokrati theksoi se policët duhet t’i bashkohen guximit të të rinjve shqiptarë, të cilët kanë dalë në rrugë kundër kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar dorëheqjen.
“Iu bëj thirrje punonjësve të policisë shqiptare, mos mbroni një njeri i cili ka përzënë nga vendi i tij pothuaj gjysmën e shqiptarëve me varfërinë që ka krijuar. Mos mbroni njeriun që ka zhytur institucionin e tij dhe institucionet e tjera të shtetit në drogë dhe krim.
Mos mbroni njeriun që ka përvetësuar dhe vjedhur miliarda e miliarda euro nga taksat dhe djersa juaj dhe e qytetarëve. Mos mbroni një regjim që është sjellë më keq se çdo pushtues me shoqërinë shqiptare.
Frymëzohuni edhe ju nga këta djem dhe vajza guximtarë që duan të hedhin mënjanë diktaturën e drogës dhe krimit. Mos qëlloni mbi studentët, mbi gjimnazistët, dorëzoni kapelet, dorëzoni detyrën. Mos të shkoni dhe të merrni numra false siç po u detyrojnë të transformoheni totalisht në atë që nuk jeni.
Të denatyroheni për të kryer krime. I refuzoni ato. Përballë jush qëndron krimi monstruoz i kryeministrit, familjarëve të tij, ministrave të tij.”, tha Berisha.