E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtim Çako: “Si trajtohen me barna ushtarakët aktivë në Forcat e Armatosura”



Trajtimi me barna i Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist), ushtarit të shërbimit të detyrueshëm aktiv, oficerit, të cilët kanë dalë në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie, u behet me rimbursim. Me gjithë këtë është një realitet tjetër i hidhur qe VKM Nr. 909,datë 29.12.2004”Për mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e FA”, nuk ka gjetur zbatim. Të drejtën ushtarakëve ua jep vendimi i më sipër sipas përcaktimit që vijon:

- Ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura (oficerë, nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë), ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, oficerëve, që kanë dalë në rezervë dhe lirim, e vërtetuar kjo me dokumentin e “Identifikimit ushtarak”, iu rimbursohen në masën 80 për qind, për çdo alternativë, nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, barnat e listës së rimbursimeve.

- Nëse për një grup barnash të caktuar ekziston një masë mbulimi më e madhe se 80 për qind, rimbursimi për kategoritë e parashikuara në pikën 1, të bëhet sipas listës së barnave, që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, referuar alternativës së parë të barit.

Kjo është një e drejtë tjetër ligjore për ushtarakët, që së bashku me të drejtën e trajtimit shëndetësor brenda dhe jashtë vendit, e cila nuk është ushtruar deri më sot.
Trajtimi i ushtarakut dhe familjes së tij, si një e drejtë që i jepet me një dispozitë ligjore dhe i merret me tjetrën. Mund të thuhet se të drejtën ia jep statusi, por ia kufizon vendimi i Këshillit të Ministrave. P.sh, ushtaraku gjen mbështetje ligjore me nenin 40 të statusit të ushtarakut për trajtim shëndetësor brenda dhe jashtë vendit, ku theksohet:
Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension (oficer, nënoficer) dhe pjesëtarët e familjes, që janë në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë kur sëmuret në shërbim ushtarak, përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile brenda vendit. Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension (oficer, nënoficer) dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë kur sëmuret në shërbim ushtarak, gëzojnë të drejtën për t'u kuruar ose për t'u diagnostikuar në institucionet mjekësore shtetërore jashtë vendit, duke përfituar ndihmë mjekësore falas.
Paradoksi është se ndryshe nga ligji i mësipërm, këtë të drejtë e kufizon VKM Nr. 269, datë 28.04.2005 në kushtet e sistemit të referimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Moszbatimi i parimeve juridike është gërshetuar me parimet apo kriteret ekonomike, i cili ka krijuar një pasojë mjaft negative, shkatërimin ekonomiko-social të ushtarakëve. Ky grup social në vendin tonë përfaqëson një prej shtresave sociale me patriotë e me të përkushtuar ndaj mbrojtjes së atdheut, por njëkohësisht më të vuajtur, më të rrezikuar për jetën, më të privuara nga liritë e njeriut, jo vetëm të ushtarakëve, por edhe familjeve të tyre për shkak të profesionit të vështirë ushtarakut.
Një fakt tjetër negativ krahas trajtimit juridiko-ekonomik të mangët dhe me mjaft probleme e pasoja negative, është evident edhe mostrajtimi moral i ushtarakëve. Shumë kuadro të ushtrisë si oficerë, pothuaj të të gjitha rangjeve nga më të ultat dhe deri te më të lartat, si ish shefa të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, zv. ministra, komandatë korpusi, divizioni dhe ushtarakë të gjitha hallkave të ndryshme, që aktualisht janë në pension pa gradë ushtarake. Çdo ushtarakë, pothuaj në asnjë vend të botës nuk mund të jetë pa gradë ushtarake, kur merr pjesë në ceremoni ushtarake, festa kombëtare dhe deri në ceremoninë mortore në përcjelljen e tij në banesën e fundit. Për këtë kategori ushtarakësh ka zgjidhje ligjore nëpërmjet procesit të ekuvalentimit ligjor me funksionet e tyre të dikurshme. Argumenti ligjor është që t’i jepet grada ushtarake çdo ushtaraku, që aktualisht nuk e ka në përputhje me funksionin detyrën, meritën dhe karrierën ushtarake të kohës respektive duke u bërë në këtë mënyrë ekuivalentimin e nevojshëm nga organi kompetent, siç është Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes.
Më datën, 1 janar ë vitit 2000 filloi trajtimi i ushtarakëve me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pension suplementar pleqërie, me të drejtë përfitimi nga 1 janari i 1999-ës. Lidhja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bazohet në nenin 6 të ligjit Nr. 8521, datë 30.07.1999 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8087, datë 13.03. 1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA”, nen i cili ndonëse përmirësoi nenin 11, nuk ju përmbajt nenit 16 të ligjit Nr. 7496 date 3. 7. l991, “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”. Ajo përcaktonte: “Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që kanë dalë në rezervë e në lirim pas datës 3. 7. 1991 deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11. 5. 1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak në masën 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat dhe të kenë mbushur moshën: Gratë 42 vjeç dhe burrat 47 vjeç.
Ligji Nr. 10142, datë 15.05.2009, dihet nga të gjithë se ka qenë një detyrim i Gjykatës Kushtetuese që më datën 26 shkurt 2007, për zbatimin e vendimit Nr. 9 të saj. Si i tillë, duhej të bazohej në këtë vendim dhe brenda kufijve të këtij vendimi. Në fakt me këtë ligj shteti ka dalë jashtë bazës dhe kufijve të së drejtës që përcakton statusi i veçantë i ushtarakut i konfirmuar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Bazën dhe kufirin e veprimtarisë së shtetit për çështjen objekt padije e ka vendosur neni 11 i ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 i ndryshuar për nga data 01.01.1999 deri më datën 14.05.2004. Sipas tij, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50% e pagës referuese për 12 vjet vjetërsi shërbimi femra dhe 15 vjet mashkulli, duke i shtuar kësaj 2% të pagës referuese për çdo vit tjetër shërbimi, por pa kaluar kjo shtesë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Nga data 14 maj e vitit 2004 kjo masë pensioni çlirohet nga kufizimi, por jo më shumë se pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi prej nenit 49 të statusit të ushtarakut dhe mbetet thjesht 50% e pagës referuese për 12 e 15 vjet dhe 2% e pagës referuese për çdo vit tjetër shërbimi. Megjithë këtë, asgjë nuk ndryshoi në llogaritjen e masës së këtij pensioni.
Bazën dhe kufirin e veprimtarisë së shtetit për pensionin suplementar të pleqërisë e përbënë e drejta për të përfituar këtë pension në masën 40% të pensionit të pleqërisë për 12 vjet vjetërsi shërbimi femra dhe 15 vjet mashkulli dhe 2% të pensionit të pleqërisë për çdo vit tjetër shërbimi, pa kaluar e gjithë masa e pensionit masën 60% të pensionit të pleqërisë. Edhe këtë bazë dhe këtë kufij ligjvënësi nuk e ka respektuar në ligj. Në vend të saj ka caktuar si bazë e kufi masën 1% të pagës referuese për vit shërbimi, pa kaluar 50% të pensionit të pleqërisë.
Me ligjin Nr. 10142, datë 15.05.2009 nuk respektohet baza dhe kufiri i së drejtës që ushtarakëve u ka njohur ligji i posaçëm. Gjykatat dhe gjyqtarët janë të autorizuara të mos e marrin për bazë gjykimi, vlerësimi dhe vendimi këtë ligj, i cili hynte në fuqi nga data 27.06.2009.
Kushtetuta e Republikës në pikën 1 të nenit 132 përcakton se: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare, por këtë institucionet e shtetit, nuk e përfillin, sepse ligji është në kundërvënie dhe në kundërshtim me vendimin Nr. 9, datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese.
Ligji përmban në vetvete 19 dispozita kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese si për barazinë dhe mosdiskriminimin për kushte dhe veprimtari të njëjtë; për të drejtën e fituar; për vijimësinë e qëndrueshmërinë e të drejtave të fituara më parë nga ndryshimet në ligj; për pasojat pozitive dhe trajtimin më të mirë financiar që duhet të sjellin ndryshimet në ligj dhe për fuqinë prapavepruese të ligjit. Ato që vendimi thotë për të gjitha këto, Kushtetuta i quan të detyrueshme, përfundimtare dhe të padiskutueshme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është absolut dhe askush nuk ka të drejtë interpretimi tjetër apo të marrë vendim tjetër me përmbajtje ndryshe. Kushtetuta e quan të detyrueshëm dhe përfundimtar trajtimin e ushtarakëve me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas dhe në përputhje me nenin 35 të statusit të ushtarakut dhe me pension suplementar pleqërie sipas nenit 15 e 16 të ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005 të pa ndryshuar.

Këtë ja dikton e detyron neni 145 i Kushtetutës nëpërmjet përcaktimit: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat. Për këtë gjykata nuk ka pse e lidh çështjen në gjykim me ligjin e ri, por të respektoje bazën ligjore të objektit të padisë”.
Kushtetuta nga ana e saj, nuk kufizohet me kaq. Në pikën 2 të nenit 145, ajo thotë: “Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato”. Ky përcaktim i Kushtetutës, jo vetëm i autorizon, por edhe i detyron gjykatat dhe gjyqtarët gjithashtu që të mos e zbatojnë ligjin Nr. 10142, datë 15.05.2009. Në vend të tij t’i përmbahen dhe të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, çka do të thotë të zbatojnë statusin e ushtarakut të 23 marsit 2004 dhe ligjin Nr. 9418, datë 20.05.2005, të ndryshuar që nuk bien ndesh me ligjin Nr. 9210, datë 23.03.2004 për ato nene që nuk janë në kundërshti apo në cenim të të drejtave të fituara nga statusi i ushtarakut.
Gjykata Kushtetuese është shprehur në vendimin e saj Nr. 9, datë 26.02.2007 se: “Në aspektin kushtetues, ligji me fuqi prapavepruese është i kundërshtueshëm në qoftë se cenon të drejtat e fituara me ligjet ekzistuese”.
Ligji është në kundërshtim dhe në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon respektimin e të drejtave të fituara dhe të sigurisë juridike. Ne respektim të parimeve të jurisprudencës, Kushtetuesja është shprehur: “... shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më parë, vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive, konkretisht trajtim më të mirë financiar për subjektet përfituese”, edhe pas datës së hyrjes në fuqi të tij, ai është i pa aplikueshëm dhe i pa zbatueshëm. Kjo për arsye se sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese: “Duke u dhënë akteve fuqi prapavepruese sidomos në rastet kur aktet e reja sjellin efekte të pafavorshme për subjektet që preken prej tij, do të cenohet parimi i sigurisë juridike dhe, rrjedhimisht, do të shkelet parimi i shtetit të së drejtës...”, dhe se: “Në aspektin kushtetues, ligji me fuqi prapavepruese është i kundërshtueshëm në qoftë se cenon të drejtat e fituara me ligjet ekzistuese”.
Si konkluzion del se, gjykatat dhe gjyqtarët nuk duhet të marrin ne konsiderate ligjin Nr. 10142, datë 15.05.2009 gjatë procesit gjyqësor.
Nga ana tjeter nje shkelje e të drejtave jo të plota, të cunguara, por të fituara pjesërisht dhe të pezulluara është moszbatimi për një periudhë rreth 1 vjeçare të ligjit të majit të 2009-ës. Kjo ndodhi jo pse u kundërshtua ligji në Gjykatën Kushtetuese nga Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, e cila si palë ankimuese, hodhi poshtë me argumente të forta juridike rreth 19 nene të ligjit që përkeqësojnë nivelin ekonomik jetik të ushtarakëve. Kjo praktikë dëmtuese e njohur në këto dekada nuk ka asnjë lidhje me të ashtuquajturin “bllokimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese për shkak të ankimit të bërë nga shoqatat”, pasi kjo gjykatë vendosi mospezullimin e ekzekutimit të këtij ligji, por ka të bëjë me qëndrimin permanent për trajtimin e ushtarakëve jo me ligj në fuqi, por me ligj të shfuqizuar, si dhe me punën e dobët, neglizhente dhe “vendimet politike” të organeve ekzekutive, të qeverisë dhe organeve të Sigurimeve Shoqërore, të cilat nuk zbatuan detyrimin ligjor. Kjo pagesë e pakryer deri më sot do të sillte një rritje pensioni mesatarisht 10.000 lekë të reja për një pjesë ushtarakësh nga 27 qershori i vitit 2009, sipas llogaritjeve të premtuara prej tyre.
Ekzekutivi shqiptar është i detyruar me Kushtetutë t`i përmbahet dhe të zbatojë vetëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007, që do të thotë edhe pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji të vazhdojnë të aplikojnë ligjin Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH“ dhe ato nene të ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, të ndryshuar që nuk bien ndesh me ligjin Nr. 9210, datë 23.03.2004.
E drejta e fituar për pension në bazë të ligjit për Statusin e Ushtarakut gjatë gjithë kësaj periudhe përfaqëson një të drejtë të pa mohueshme, që nuk mund të parashkruhet. Për këtë është kërkuar në Gjykatën Kushtetuese që shteti të jetë debitor për këtë detyrim në likujditete. Këtë mund t`ia likujdojë çdo ushtaraku dhe familjes së tij në rast vdekje të ushtarakut përfitues i njohur si pronar i likujditeteve të papaguara në afat dhe të depozituara sipas llogaritjeve përkatëse. Pagesa e detyrimit të njohur për këtë periudhë të bëhet si pagesë e menjëhershme ose dhe me kiste në pamundësi likujdimi të detyrimit total të mbetet një detyrim bankar me përqindje interesi, si një depozite kursimi për një kohë të caktuar, por relativisht të shkurtër.
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, kohët e fundit i është drejtuar kryeministrit dhe ministrave përkatës për privatizimin e objekteve ushtarake, ku neni 38 i statusit të ushtarakut i jep të drejtën për sigurim banese. Është kuptimplot fakti ligjor që “Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist), të cilët kur dalin në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie dhe janë të pastrehë ose me sipërfaqe të vogël banimi trajtohen për strehim si ushtaraku aktiv”. E njëjta gjë po ndodh edhe me parablerjen e objekteve, sipas nenit 39 t statusit ku përcaktohet: “Ushtarakëve aktivë dhe në rezervë u njihet e drejta e parablerjes për objektet së bashku me trojet funksionale, të cilat dalin të lira nga ristrukturimi i Forcave të Armatosura dhe mbeten pronë e shtetit, sipas nevojave për strehim”.
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, kohët e fundit i është drejtuar dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë për marrjen e një vendimi unifikues, për të drejtën e fituar të pensionit nga shumë ushtarakë me vendime të formës së prerë ta përgjithësojë këtë për tërë ushtarakët dhe familjet e tyre, sipas kompetencave ligjore në fuqi për objekt të njëjtë padie. Në respektim dhe zbatim të përcaktimit të nenit 162 të Kodit të Procedurës Civile në Republikën e Shqipërisë i cili shprehet: “Kur, për shkak të natyrës së marrëdhënieve juridike që janë në konflikt ose për shkak të një dispozite ligjore, efekti i vendimit, që do të jepet, shtrihet në të gjithë bashkëndërgjyqësit, veprimet procedurale që janë kryer prej disa bashkëndërgjyqësve kanë efekt edhe për bashkëndërgjyqësit e tjerë që nuk janë paraqitur në gjykatë ose që nuk kanë kryer ndonjë veprim në afatin e caktuar”, marrjen e një vendimi unifikues për praktikën gjyqësore lidhur me:

- Interpretimin dhe zbatimin e nenit 11 gërma ”a” dhe ”b” dhe nenin 18 të ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 ”Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH” i ndryshuar; nenin 35 pika 1 e 2 dhe 49 të ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004 ”Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, nenin 14, 27 të ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005 2004 ” Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH” të pa ndryshuar dhe të ndryshuar, për trajtimin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve.

- Interpretimin dhe zbatimin e nenit 15, 16, 27, 29 të ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005 ” Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH” të pa ndryshuar dhe të ndryshuar për trajtimin me pension suplementar pleqërie të ushtarakëve.

Në këtë mënyrë do të kursehet kohë pune dhe shpenzime gjyqësore të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.

Legjenda e “Faturës financiare” , e “Risive” e “Qëndrimit, vendimit, zgjedhje politike oportuniteti” “ diskrecion i politikave ligjvënëse” dhe trajtimi juridik “Si përjashtim” i shoqëron ushtarakët për tërë kohën e tranzicionit shqiptar deri në ditët e sotme.

Në shqyrtimin e ligjit nr. 10142 date 15/ 05/2009 në Gjykatën Kushtetuese, qeveria mbron pikëpamjet dhe qëndrimin e saj kundër kërkesave ekonomike ligjore të ushtarakëve në lirim, në rezervë dhe pension me argumente antikushtuese si vijon:

- Formulimi i ri i ligjit tregon për një zgjedhje politike oportuniteti të Kuvendit të Shqipërisë, me propozim të Këshillit të Ministrave, për të zgjeruar bazën e përfituesve, por duke reformuar skemën e përfitimeve.

- Risia e këtij ligji është zgjerimi i rrethit të subjekteve që përfitojnë prej tij, shtimi i kategorive që iu garantohen me ligj përfitime suplementare, nisur nga natyra e detyrës shtetërore që ata kryejnë.

- Ndryshimi i masës së përfitimit, por duke mos u shoqëruar me mohim të së drejtës për përfitime suplementare, e shoqëruar me shtim të subjekteve që e përfitojnë këtë të drejtë, bën që ligji i ri të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos cenojë parimin e sigurisë juridike.

- Qeveria mbrohet duke shprehur se ligji nuk ngre probleme antikushtetuese sepse kënaqen kushtet e ekzistencës së një interesi publik, apo dhe të kërkesave të shtetit social.

- Duke iu përgjigjur pretendimit të cenimit të sigurisë juridike, apo të të drejtave të fituara më parë nga ligjet e mëparshme, qeveria argumenton se të drejtat e fituara mund të kufizohen si përjashtim, por kufizime të tilla bëhen duke respektuar parimin e përpjestimit në lidhje të ngushtë me parimin e drejtësisë, e paanshmërisë dhe të mirëfunksionimit të shtetit.

- Ligji në fakt bën diferencim vetëm në masën e përfitimit, duke parashikuar që përfitimet që jepen nga ky ligj, llogariten në bazë të pagës referuese dhe jo të viteve të kontributeve. Ky parashikim bën që të mos shkelet parimi i barazisë përpara ligjit, por të respektohen të gjitha elementët përbërës të tij.

- Fakti që ligji nr. 10142/2009 i njeh të drejtën për përfitime suplementare të gjithë punonjësve në një sektor të caktuar shtetëror, pavarësisht gradës apo funksionit të tyre, nuk bën që ligji të jetë në kundërshtim me parimin e barazisë, por e bën atë të jetë në përputhje të plotë me këtë parim.

- Ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave ligjvënëse të Kuvendit të propozuara nga Këshilli i Ministrave.

- Në ligj nuk është abuzuar me fuqinë prapavepruese, sepse edhe rregulli për rillogaritjen e të drejtave, të njohura në nenin 29 të ligjit, vendos parametrat e koefiçentëve të rritjes dhe të indeksimit të pensionit.

- Ligji ruan të drejtën për mbrojtje shoqërore në punë. Përfitimet suplementare garantohen për shkak të punës/detyrës shtetërore të kryer. Në rastin kur puna/detyra shtetërore ndërpritet për shkaqe subjektive me faj të individit (shkelje të ligjit), atëherë nuk ka vend për përfitime suplementare mbi këtë punë të humbur për këtë shkak.

Si konkluzion, edhe në kushtet e një loje politiko- juridike dhe të mungesës së një buon-sensi nga të gjitha qeveritë dhe organet e sigurimeve shoqërore, kërkesat e ushtarakëve mbeten ligjore përsëri në fuqi, si të drejta të fituara me ligjin organik “Statusin e Ushtarakut” dhe ligjet e miratuara vite më parë.
Organet e drejtësisë, Gjykata Kushtetuese duhet ta venë problemin vetëm në pozicionin juridik me argumentet ligjore.
Argumentet e qeverisë shqiptare për fature financiare të pa përballueshme për buxhetin e shtetit janë sa të vjetra në kohë, aq edhe jo bindëse dhe jashtë logjikës ekonomike dhe juridike për tërë opinionin e ushtarakëve të FA-së.

Konkretisht argumentet tona ligjore dhe social-ekonomike janë si vijon:

- Ligji i ri ul në mënyrë të ndjeshme masën e përfitimit për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe ato suplementare, si dhe përfitimet sipas gradave e sipas kontributit të secilit .

- Dispozitat e ligjit nr. 10142/2009, cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike.

- Cenojnë apo kufizojnë të drejtat subjektive të fituara me ligje të miratuara më parë.

- U japin fuqi prapavepruese dispozitave të reja më pak të favorshme, që kanë hyrë në fuqi rregullisht, që janë në pajtim me parimet dhe normat kushtetuese.

- Shkelin apo kufizojnë të drejtat e fituara me vendime gjyqësore.

- Dispozitat e ligjit shkelin edhe parimin kushtetues të barazisë para ligjit dhe atë të mbrojtjes shoqërore në punë të garantuar nga nenet 18/1 dhe 49/2 të Kushtetutës.

-Opinioni publik i brendshëm dhe ndërkombëtar, institucionet ndërkombëtare financiare deri Parlamenti Europian është informuar rregullisht me raporte dhe shifra statistikore, se Shqipëria nuk është në krizë si tërë bota dhe se ekonomia shqiptare njeh vetëm rritje nga viti në vit.

- Rritja artificialisht e numrit përfitues duke përfshirë jo ushtarakë, të cilët nuk bëjnë pjesë në struktura të FA, nuk kane pozite kushtetuese, dhe nuk trajtohen me statusin e ushtarakut. Për pasojë llogaritja e “faturës financiare” në total nuk ka të bëjë vetëm me ushtarakët në lirim nga reforma, në pension, në rezervë, dhe veteran, por edhe me kategori të tjera si: policët, gardistët, zjarrfikësit, punonjësit e pyjeve e të tjerë.

-Në koncept “Pension Suplementar për ushtaraket” është i pakuptimte dhe i gabuar, kur këta nuk marrin atë që ju takon, sipas dispozitave ligjore, sipas statusit të ushtarakut të miratuar për herë të parë në vitin 1991 dhe më vonë në 2004-ës dhe që kriteret e tyre janë edhe sot në fuqi për llogaritjen e pensionit te tyre.

- Nuk ekziston asnjë skemë llogaritje në asnjë vend të botës që në llogaritjen e pensionit të mohojë ose të mos marrë parasysh: moshën, pagën, vjetërsinë në punë ( akoma më tepër, ku përfshihet edhe koha e shkollimit, viti i maturës, vitet e universitetit dhe koeficienti për lindje dhe rritje fëmijësh); gjithashtu edhe kontributet e sigurimeve shoqërore të detyruara dhe të derdhura. Pa këta treguese nuk ka llogaritje pensioni dhe qytetari nuk përfiton pension.

- Në një shtet demokratik ushtrimi i funksionit social do të thotë që qytetari të përfitojë “sigurimin baze jetik” ose te ashtuquajtur ndryshe “pension social”, që në tërë rastet mbulon nevojat e minimumit jetik edhe kur pensioni është më i vogël merr diferencën ndërmjet minimumit jetik dhe pensionit të vogël që i takon sipas punës së bërë, vjetërsisë dhe kontributeve të derdhura.

-Nuk mund të trajtohet llogaritja ligjore e pensionit të ushtaraket në shkelje të parimeve kushtetuese, duke mohuar tërë ligjet e një periudhe afatgjatë, duke përdorur argumente absurde “si përjashtim” mbështetur në “kushtet e një interesi publik apo kërkesa të shtetit social”, si argumente të përgjithshëm, jo konkrete, të pafuqishme dhe deri diku tendenciose dhe politike.

- Qeveritë e majta dhe të djathta kanë shitur një pasuri të konsiderueshme ushtarake, vlerat e arkëtuara deri tani edhe pse jo transparente përfaqësojnë fonde që mjaftojnë të përdoren për pagesën e pensionisteve ushtarake dhe të tërë vendit.

- Ekzistojnë edhe burime të tjera financiare si dhënie me qera e disa objekteve ushtarake strategjike në kuadrin e vendeve anëtare të NATO-s.

-Fondet e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, për dy vjet arrijnë shifrën 107 milion leke gjithsej, dhe respektivisht 65 milion leke miratuar me VKM Nr. 384 date 31.05.2005 dhe 42 milion leke miratuar me VKM Nr. 459 date 21.06.2006, nuk u përdoren për rritjen e pensioneve te ushtarakeve. Nuk dihet përse u përdorën këto fonde kur ishin efekti financiar qe argumentonin, dhe ishin i “fatura financiare” e destinuar për zbatimin e ligjit për rritjen e pensioneve të ushtarakëve.

- Efekti financiar i pa zbatuar ne 20 vjet, ne se pagesat respektive do të bëheshin në kohën e duhur, sipas ligjeve e vendimeve që kanë dalë mesatarisht çdo 2 vjet nuk do të sillnin “fatura të larta financiare” që diskutohen sot.

- Privatizimet në shoqërinë e re kapitaliste shqiptare në sektorët e tjerë krijuan pronën private të individit apo familjes. Vetëm në sektorin e Ushtrisë nuk ndodhi kjo edhe pse u privatizuan shumë objekte ushtarake. Shitja e objekteve ushtarake me tenderim apo forma të tjera ligjore vazhdon edhe në vitin 2010 dhe do të arkëtohen vlera të konsiderueshme, duke i përdorur shteti edhe këto fonde për pagesën e pensioneve. Ushtaraku pati dhe vuan privacione të profesionit të veçantë të tij dhe nuk privatizoje asgjë, as tokë, as objekte, as letra me vlerë dhe nuk merr as pensionin sipas pagës dhe kontributeve të tij.

- E drejta ligjore fituar, në kuadrin e shtetit tonë të së drejtës, që ka lidhje me të drejtën mbi pronësinë, do të thotë që çdo ushtarake si pronar i likujditeteve të pa paguara për pensionin e tij në vite, nuk mund t’i mohohet, nuk mund t’i parashkruhet dhe shteti si debitor duhet t’ia paguajë atij.

Ne ushtaraket në pension, rezerve, lirim dhe veteranë me gatishmërinë për t ‘iu përgjigjur zërit të atdheut në çdo kohë në bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë, kemi bindjen se mund të zgjidhet plotësisht problemi financiar i ushtarakëve me kuadrin ligjor në fuqi.

Në kushtet kur Shqipëria është një vend anëtarë me të drejta të plota i NATO-s dhe me pretendimin e ligjshëm për t’u bërë anëtare e denjë e familjes europiane, në përpjekje për të plotësuar standardet e BE-së, edhe në fushën sociale, shprehim dhe një herë besimin te organet e drejtësisë që me autoritetin dhe me profesionalizmin e lartë, do t´i përgjigjen pozitivisht kërkesës tonë, duke i dhënë fund shkeljes ligjore dhe padrejtësisë shumëvjeçare në trajtimin me pension të parakohshëm dhe pension të plotë pleqërie të ushtarakëve.

22 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›