E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha tryezë me akademikët: Çdo gjë për punësimin e të rinjve

TIRANE-Kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur sot interesit të akademikëve gjatë një tryeze të rrumbullakët me akademikë në Universitetin e Durrësit. Berisha ka premtuar nga Universiteti i Durrësit se pas realizimit të ëndrrës së çdo të riu për arsimin e lartë, tashmë do të bëhet gjithçka për punësimin e tyre.

Gjatë një takimi me akademikë e të rinj të këtij universiteti Berisha ka theksuar se trajnimi profesional dhe lidhja e shkollës me tregun e punës janë shtylla kryesore në këtë drejtim. Duke e cilësuar Universitetin e Durrësit si një model të shkëlqyer, kryeministri kërkoi që fakultetet shqiptare të aplikojnë sa më shumë elementë gjermanë. 

Berisha vlerësoi Universitetin e Durrësit për lidhje të mirë me tregun e punës, duke kërkuar që ky të bëhet shembull edhe për të tjerët.
“Ne kemi universitete në shumicën e qendrave të qarqeve. E vërteta më e madhe e tyre është se roli më kryesor duhet të jetë zhvillimi rajonal, promotorë të fuqishëm të zhvillimit rajonal. Territori i një qarku në kompleksitetin e tij është sa vendi në tërësi dhe potenciali më i madh për të kontribuar është rajoni ku je. Do bëjmë çmos të orinetojmë universitete drejt këtyre profileve”,- tha Berisha.

Ai deklaroi më tej, se për PD, të rinjtë janë në krye të axhendës. “Ne kemi krijuar mundësinë që secili të ndjekë universitetin, i dhamë fund arbitraritetit zyrtar ndaj ëndrrës së tyre universitare. Hapi tjetër çdo e re duhet të ketë të drejtë që dijet që mori të ndërtojë projektin e jetës, e të ardhmes, në këtë kontekst do bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës, përshtatjen me tregun e punës. Arsimi profesional është vendimtar”,- tha ai.

ARTAN SANTO

Drejtori i Përgjithshëm i një prej bankave më të suksesshme në vend “Credins Bank”, Artan Santo dhe përfaqësues i një prej Universiteteve private, atë “Luarasi” theksoi në tryezën e rrumbullakët, rezultatet që po sjell eksperienca e re me “Fast Tip” ndërsa përgëzoi qeverinë për hapjen e dyerve të universiteteve për çdo të ri shqiptar.

“Gjatë këtyre viteve ka ndodhur ajo që nuk ka pas ndodhur kurrë në Shqipëri, dyert e universiteteve janë të hapur për gjithkënd dhe kjo është gjëja e bukur dhe për herë të parë eksperiencën e ‘Fast Tip-it’ e kanë marrë dhe universitete private. Ja çfarë ndodh me një eksperiencë të suksesshme që ne si biznese të transportojmë që rinia të përçojë dëshirën e saj nëpërmjet bizneseve tona dhe kjo është arritje dhe falë punës së përbashkët në këtë lloj mjedisi dhe insistimi i z Tafaj është për t’u përgëzuar”.

Berisha
“Më vjen mirë që universitetet private kërkojnë të kenë fakultete analoge me “Fast Tip-in” dhe është një nga shërbimet më të mëdha që mund t’i bëjnë vendit. Sepse mënyrën e menaxhimit e kanë më të thjeshtë, mënyrën e vendimmarrjes dhe realizimin e projektit. E përgëzoj universitetin ‘Luarasi” dhe ftoj universitetet private të shohim me interes drejt profileve dhe përshtatjes me tregun e punës dhe se do ishte një shërbim i mirë për vendin”, u shpreh Berisha.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Berisha: Ëndrra ime të bëhesha poet ose shkrimtar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›