E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me pushime në jug të vendit

Ndryshe nga çdo vit tjetër, dy partitë e mëdha po i shijojnë plotësisht pushimet këtë verë. Prej mbylljes së procesit të zgjedhjeve për kryeqytetin, të dyja selitë e dy partive kryesore në vend kanë rënë në qetësi totale. Prej më shumë se dy javësh nga foltoret e këtyre dy partive nuk ka patur asnjë prononcim apo konferencë për shtyp, për asnjë çështje. E ajo që duket se ka rënë në “gjumë” është Partia Socialiste, e cila të qenit në opozitë i ngarkon asaj detyrën që të bëjë oponencën e qeverisjes së vendit. Por sikur në vend të mos kishte asnjë problem që duhet ngritur, opozita ka vendosur të heshtë. Kujtojmë se komunikimi i fundit me mediat nga selia rozë ka qenë ai i deputetit Armando Subashi, që në datën 22 korrik. Përfaqësues të lartë të të dyja forcave dhe kryesisht deputetë të tyre, prej kohësh po shijojnë pushimet, pa vrarë aspak mendjen për punët partiake. Ndërkohë pushimeve i është përkushtuar së fundmi edhe lideri socialist Edi Rama, pavarësisht se gjatë gjithë kësaj kohe ai ka qenë nga të vetmit përfaqësues të lartë socialistë që ka qëndruar në zyrën e tij në selinë rozë. Por duket se që nga fundjava e shkuar edhe ai ka vendosur të pushojë. Burime pranë Partisë Socialiste kanë bërë të ditur se ai ndryshe nga vitet e tjera ka preferuar të mos largohet jashtë shtetit, por të frekuentojë brigjet jugore të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›