BE ashpërson masat ndaj trafikimit të qenieve
Bashkimi Europian organizoi dje një konferencë mbi trafikun e qenieve njerëzore me pjesëmarrje të ministrave të Brendshëm të vendeve të origjinës dhe transitit. "Në vendet e origjinës, transitit dhe destinacionit ekziston një varësi e ndërsjellët, ndaj ne duhet të koordinohemi për të luftuar dhe parandaluar në mënyrë efektive trafikimin e qenieve njerëzore", theksoi ministrja suedeze e Drejtësisë, Beatrice Ask. Sakaq, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, Jacques Barrot, tha se "mbi trafikimin e qenieve njerëzore, komisioni ka propozuar përafrimin e akuzave me sanksionet penale. Ne kërkojmë që kriminelët të gjykohen edhe nëse shkeljet janë bërë jashtë vendit". Programi i Stokholmit nënvizon mbrojtjen e viktimave, duke i përjashtuar nga përgjegjësia penale, duke i dhënë leje qëndrimi në BE dhe mbrojtje sociale. Drejtori i përgjithshëm i organizatës IOM, William Lacy Swing tha se "lufta dhe kontrollet e rrepta për migrimin i shtyjnë njerëzit drejt emigrimit të paligjshëm, duke i lënë ata të pambrojtur ndaj trafikantëve".