Mediu: Kemi folur me Berishën për kandidatin e mazhorancës për president. Nanon do e takoj kur të zgjidh çështjen e pronave
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi sot se ai është takuar dhe ka biseduar me Berishën në lidhje me çështjen e presidentit të ri. Jam takuar dhe kemi folur që mazhoranca të përfaqësohet me një kandidaturë dinjitoze për kreun e shtetit. Duhen konsultime për këtë proces edhe mes mazhorancës, tha Mediu.
Synimi është që mazhoranca të ketë kandidaturën e saj dinjitoze për garën e re presidenciale, duke e parë si më të rëndësishëm procesin si moment konsultimi në traditën e dy zgjedhjeve të fundit presidenciale, para gjendjes së numrave aktualë të mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, vijoi kreu i republikanëve.
Fatmir Mediu ka komentuar edhe takimin me Fatos Nanon me një batutë. Do ta takoj pasi të zgjidh çështjen e pronave. Sigurisht që do ta takoj, procesi i konsultimeve është i rëndësishëm, tha Mediu.
Komentet e tij erdhën pas debateve në Komisionin e Ligjeve për projektligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
