E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha uron nxënësit për ditën e parë të shkollës

Urimet për ditën e parë të shkollës kryeministri Sali Berisha i ndau me nxënësit e Shkollës profesionale “26 Marsi” në qytetin e Kavajës. Me këtë rast kreu i qeverisë inaguroi godinën e re, një dhuratë kjo e qeverisë shqiptare për të rinjtë e këtij qyteti dhe rrethinave të tij. Ndërtimi i kushtoi buxhetit të shtetit plot 83 milionë lekë. Kryeministri tha se zhvillimi i arsimit profesional do të jetë një prej objektivave madhore të qeverisë në mandatin e saj të dytë.
Berisha “Uroj ju dhe nxënësit e gjithë Shqipërisë për ditën e parë të shkollës dhe i garantoj se mandati ynë i dytë do të ketë si objektiv madhor, zhvillimin e arsimit profesional.”
Duke renditur si prioritet vazhdimin e reformës në arsimin e lartë, kryeministri premtoi arritjen e standardeve evropiane dhe theksoi se partneriteti i arsimit publik dhe atij privat do të jenë në thelb të kësaj reforme.
Berisha “Nëse ja arritëm në mandatin e parë të shtrijmë kabinetet e informatikës në të gjitha shkollat në mandatin e dytë do të kalojmë në mësimin dixhital. Ftoj të gjithë afaristët të investojnë në këtë sektor dhe i siguroj se do të kenë lehtësira fiskale.”
Më pas kryeministri vizitoi ambjentet e brendëshme të shkollës, të përbërë nga 6 degë, 24 klasa dhe një palestër sportive të standarteve bashkëkohore.
Skulptura, piktura, kuzhina, tekstili, puna me dru dhe puna mekanike janë disa nga profesionet, për të cilat të rinjtë mund të specializohen në këtë shkollë. Duke i mëshuar zhvillimit të turizmit në vend, vitet e fundit kryeministri sugjeroi zgjerimin e saj edhe me degën e ndërtimit.
Në këtë inagurim kryeministri Berisha ishte i shoqëruar nga ministri i Arsimit Fatos Beja dhe bashkëshortja e tij Liri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›