E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vazhdon të ironizojnë mediat

Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Minsitrave, ka ironizuar deklaratën e bërë nga mediat ditën e djeshme. Ai është shprehur me ironi: “Ku është ajo deklaratë ta firoms edhe unë”.

Dhjetëra gazetarë kanë bërë dje një deklaratë pas reagimit te Partise Demokratike lidhur me aksidentin qe i mori jetën presidentit te Top Medias Dritan Hoxha.  Në një konferencë për shtyp të dhënë pardje për mediat zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani ka deklaruar se mediat kanë dhënë një informacion të njëanshëm në paraqitjen e lajmit. Bogdani u shpreh se ‘media nuk tregoi respekt për vdekjen e Entela Hyskos". Sipas zedhenesit "gabimi i vetëm i saj është që hodhi këmbën në makinën e Dritan Hoxhës".

Me poshte eshte teksti i deklarates se djeshme te gazetareve nënshkruar nga rreth 100 gazetare:

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kohët e fundit po udhëheq një fushatë denigruese ndaj medias shqiptare, duke tejkaluar gjithë standardet etike, politike dhe njerëzore, deri tek përpjekjet e fundit për të poshtëruar vdekjen tragjike të një prej krijuesve më të suksesshëm në historinë e medias shqiptare, presidentit të “Top Channel”, Dritan Hoxhës.

 Me një vetëdije të plotë, ai shfaqi cinizmin e tij disa orë pas vdekjes së zotit Dritan Hoxha dhe më pas përdori gjithë mekanizmat e tij politikë dhe mediatikë që ka nën kontroll për të mbajtur gjallë këtë cinizëm. Në një fushatë të paprinciptë, ai po përpiqet të penalizojë median për një akt që nuk e ka kryer dhe të shpikë një fshehje krimi që media nuk e ka bërë. Ne pranojmë pa asnjë kompleks, se në rastin e pasqyrimit të vdekjes së Dritan Hoxhës, mediat shqiptare vunë solidaritetin njerëzor para angazhimit profesional.

 Ne gazetarët shqiptarë nuk kemi fshehur asnjë krim dhe nuk mund të ndjehemi fajtorë për një gjë që s’e kemi bërë. Ata që kanë fshehur krime shtetërore në këtë vend, janë në pushtet dhe po përpiqen të shpëtojnë autorët. Ne gazetarët shqiptarë po përpiqemi t’i zbardhim këto krime. Për këtë arsye, Kryeministri na ka shpallur luftë.

 Ne gazetarët e shtypit shqiptar jemi të shqetësuar nga instrumentalizimi i institucionit të Partisë Demokratike si partia kryesore në vend, për t’u përdorur në një fushatë denigruese ndaj medias shqiptare dhe vdekjes së një prej emrave të njohur të saj, për shkak të mllefeve personale të kryetarit të kësaj partie, Sali Berisha. Ai po përdor në mënyrë barbare vdekjen e një vajze, duke shkelur privatësinë e saj, vetëm për të demonstruar urrejtjen e tij. Ne u rreshtuam në anën e viktimës dhe për këtë arsye, Kryeministri na ka shpallur luftë.

Ne gazetarët e shtypit shqiptar jemi të shqetësuar nga fryma e denigrimit dhe fushata e fyerjeve që kryeministri Sali Berisha ka nisur prej kohësh ndaj komunitetit të gazetarëve shqiptarë, madje dhe ndaj atyre të huaj, siç qe rasti i gazetës “Neë York Times”, për shkak të qëndrimit të tyre kritik ndaj qeverisë që ai drejton. Ne u rreshtuam në mbrojtje të kolegëve tanë dhe për këtë arsye, Kryeministri na ka shpallur luftë.Ne gazetarët e shtypit shqiptar i bëjmë thirrje botuesve shqiptarë, drejtuesve profesionistë të medias shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias, ta shënojnë këtë fushatë si një akt të rëndë kundër lirisë së shtypit, të udhëhequr nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha, tek i cili janë zgjuar atavizmat më të errëta të historisë së tij problematike me shtypin shqiptar.

 Ne gazetarët e shtypit shqiptar jemi të angazhuar ta përballojmë këtë betejë me të, si një detyrim moral, profesional dhe njerëzor që kemi ndaj lexuesve tanë dhe lirisë së shtypit në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›