E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: Energjia në krizë, asnjë burim i ri

Po mbyllet viti i tretë i qeverisjes së Sali Berishës dhe ende nuk kemi asnjë burim të ri energjie të ndërtuar në vend e që do ishte pjesë e një plani të madh për shtimin dhe diversifikimin e burimeve energjitike, të mjaftueshme për nevojat familjare dhe për të mbështetur e nxitur zhvillimin ekonomik të vendit. Kështu është shprehur sot ish drejtori i KESH-it, Andis Harasani.

Sipas tij nuk është ndërtuar asnjë termocentral, asnjë HEC madje as ndonjë park energjitik të premtuara me shumë bujë përpara 3 Korrikut 2005. Qoftë ky me gaz, qoftë ky me erë!  “Madje, qeveria ka harxhuar kohë e burime financiare si pasojë e premtimeve të para 3 Korrikut duke vonuar për arsye korruptive ndërtimin e Tec të Vlorës i cili tashmë duhet të kishte mbaruar fazën e parë dhe do prodhonte energji!” – tha Harasani

“Qeveria ka harxhuar kohë e burime financiare duke vonuar për arsye korruptive ndërtimin e linjës së konjeksionit me Malin e Zi, cka do të krijonte rritjen e kapaciteteve tona importuese të energjisë si dhe uljen e varësisë nga kompani furnizimi me energji të cilat Kryeministri i ka sulmuar fort si korruptive ndërkohë që sot është klienti më i rregullt e më i madh i tyre, madje me çmime tre herë më të larta e me sasi pesë herë më të mëdha”. 

Shqiptarët, në vitet 2005 – 2008 po paguajnë çmimin e një kilovati energjie elektrike nga 7 lekë në 2005 në 14.4 lekë me TVSH , TVSH e cila ishte premtuar të shkonte në 6 % nga 20% që paguajmë sot.

Çmimi është paralajmëruar të rritet pra qytetarët do të paguajnë dhe më shumë për shkak të krizës financiare të qëndrueshme ardhur si pasojë e faktorëve të mësipërm në Korporatë.

 Këtij çmimi vazhdon ti shtohet dhe padrejtësia në faturim e cila duhej eliminuar sipas programit të qeverisë brenda 2005. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›