Topalli, letër 26 vendeve anëtare të NATO-s për të ratifikuar anëtarësimin e Shqipërisë
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në bashkëpunim dhe me homologun e saj kroat, Luka Bebiç u kanë dërguar një letër 26 vendeve anëtare të NATO-s, të cilëve u kërkojnë ratifikimin sa më parë të Protokollit për zgjerimin e NATO-s. Më 9 korrik Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel Protokollet për Zgjerimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Por ky protokoll duhet të ratifikohet nga parlamentet e 26 vendeve anëtare të NATO-s në mënyrë që Shqipëria të fitojë anëtarësimin e plotë në këtë aleancë. “Kuvendi i Shqipërisë është vënë në lëvizje me të gjithë potencialin e tij për ratifikimin e këtij protokolli nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare. Bashkë me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Luka Bebiç, po koordinojmë përpjekjet për të nxitur parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s për ratifikimin e këtj protokolli, si kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e plotë”, është shprehur Topalli. Sipas saj letra e përbashkët u është drejtuar kongresit Amerikan, kryetarëve të Parlamentit dhe Senatit të Kanadasë, Britansë së Madhe, të Francës, të Italisë, të Gjermanisë, të vendeve Baltike e Nordike, dhe vendeve të Europës Juglindore anëtarë të Aleancës. “Kjo letër, pjesë e diplomacisë parlamentare ardhur në vazhdën e veprimtarisë intensive dhe rolit të parlamentit për ratifikimin e MSA-së dhe për çështjen shqiptare në botë do të pasohet më një veprimtari të gjithanshme dhe gjithpërfshirëse të të gjithë deputetëve dhe Komisioneve parlamentare, në kontakte dy dhe shumë palëshe me synim anëtarësimin sa më të afërt të Shqipërisë në NATO”, është shprehur Topalli. Ajo shprehur besimin se në samitin e ardhshëm të NATO-së i cili do të mbahet në pranverën e vitit 2009, Shqipëria do të mund të bëhet anëtare me të drejta të plota.
19 Korrik 2008