Berisha, vendorëve: Mblidhni taksën e pronës
TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka garantuar të zgjedhurit vendorë për mbështetje të plotë të qeverisë në kuadër të decentralizimit dhe autonomisë, por ka kërkuar përkushtim për mbledhjen e taksave e në mënyrë të vecantë të taksës së pronës.
Taksë themelore në cdo demokraci është taksa e pronës. Mbledhja e kësaj është absolutisht në limite të papranueshme, unë e kuptoj që të mbledhësh këtë taksë në Shalë, Orenj, Frashër ka vështirësi serioze, por kjo në qytetet tona, në komunat me një gjallëri të vërtetë nuk përbën asnjë vështirësi përvec atyre burokratike- tha Berisha.
Sipas Berishës, autonomia vendore është kushti më i rëndësishëm për ta bërë me eficente qeverisjen, për të konsoliduar demokracinë. Ai ka theksuar se qeveria që drejton mbetet e vendosur në bashkëpunim të ngushtë me vendorët, të thellojë autonominë e qeverisë në interesin më të mirë. Ju keni tagrin ligjor për të aplikuar koncesionet në të gjitha asetet dhe pasuritë e territoreve tuaja, dëshiroj një dinamizim të këtij procesi. Ky do të shumëfishonte buxhetet tuaja modeste. Merrni shembullin e bashkisë së Tiranës- tha Berisha.
