Berisha vizitë dy ditore në Gjermani

Kryeministri Sali Berisha është nisur sot për një vizitë në Gjermani, me ftesë të Fondacionit Konrad Adenauer, për të marrë pjesë në konferencën me temë "Vitet 1989/1990: era e ndryshimit në Shqipëri". Kryeministri Berisha do të mbajë një kumtesë përpara një audience të gjerë politikanësh, intelektualësh, akademikësh dhe personaliteteve nga fusha e biznesit gjerman e më gjerë. Gjatë ditë së nesërme, kryeministri Berisha është ftuar të marrë pjesë në Samitin krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP), në Bruksel. Pas këtij takimi, Berisha do të jetë sërish në Gjermani, i ftuar në një takim të zgjeruar me përfaqësues të firmave më të mëdha gjermane, në Essen, në Gjermani, ku do të pritet nga z. Bodo Hombah, Anëtar i Kryesisë së Komisionit të Lindjes të Ekonomisë gjermane dhe Kryetar i Grupit mediatik WAZ. Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha do të prezantojë reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare në fushën ekonomike, në sajë të të cilave është krijuar një klime tepër e favorshme për biznesin vendas dhe të huaj në Shqipëri, si dhe do të flasë për 'Potencialet e Investimit në Shqipëri për Ndërmarrjet Gjermane'.