E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha, vizitë zyrtare në Maqedoni

Kryeministri Berisha ka nisur vizitën zyrtare në Maqedoni.

Në njoftimin e Kryeministrisë, bëhet e njohur vetëm axhenda e takimeve, ndërsa nuk paralajmërohet firmosja e ndonjë marrëveshje ndërshtetërore. Mediat proqeveritare maqedonase duke cituar burime pranë qeverisë në Shkup, bëjnë të ditur se dy kryeministrat do të bien dakord për firmosjen e marrëveshjes për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime, një marrëveshje që më parë është firmosur mes Shkupit dhe Beogradit, dhe që pritet të hyjë në fuqi nga fundi i vitit.

Berisha do të pritet nga homologu Nikolla Gruevski me një ceremoni të organizuar zyrtare pranë Qeverisë. Më pas do të vijojë takimi me presidentin Gjorgje Ivanov dhe kryeparlamentarin Trajko Veljanovski si dhe takimet e veçanta me krerët e partive politike: kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, kryetarin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, etj.

Në axhendën e kryeministrit Berisha përfshihet gjithashtu një vizitë në Tetovë, ku delegacioni i lartë qeveritar do të pritet pritet nga kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti dhe drejtues të tjerë lokalë. Më pas, Kryeministri do t vizitojë Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore. Një moment i rëndësishëm për Kryeministrin Berisha do të jetë dhënia nga Universiteti i Evropës Juglindore, e Çmimit Ndërkombëtar Për Lidership. Me këtë rast, Kryeministri Berisha do ti drejtohet auditorit me një fjalim, thuhet në fund të komunikatës së kabinetit të Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›