Berisha viziton bocetet: Ta ndajmë Tiranën nga e kaluara
Kryeministri Berisha ka parë sot nga afër 5 bocetet e paraqitura në Galerinë e Arteve për monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të mbështesë bashkinë në vendimet e saj për ta rivendosur kryeqytetin në platformën europiane.
“Do të mbështesim çdo vendim që të marrë bashkia për ta rivendosur qytetin tonë në platformën europiane në të cilën lindi. Qeveria do ta mbështesë bashkinë me të gjitha mjetet. Tirana është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Janë aksioner në rrafshin shpirtëror të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë ndaj dhe unë ju garantoj se do të mbështesë vendimet e këshillit bashkiak për ta ndarë Tiranën nga ajo periudhë 50-vjeçare e cila e vërviti kryeqytetin drejt mjegullnajeve ballkanike lindore ndërkohë që ky është një kryeqytet me frymëmarrje perëndimore, nga kreshta e Dajtit, tek kurora e kodrave në perëndim. Gjithçka ka vetëm aromë perëndimore” ka theksuar Berisha
Kryeministri i ofroi Bashkisë, mbështetje të plotë, siç tha ai, duke filluar me Pallatin e Kulturës, që përbën një shëmtirë të pamerituar. "Bëheshin beteja për të mbrojtur një trashëgimi ku uroj që bashkia ta çliroj këtë duke filluar me Pallatin e Kulturës që përbën një shëmtirë për kryqytetin dhe kjo është problem madhor për qytetarët e Tiranës ” theksoj Berisha.
Shefi i qeverisë sulmoi edhe ish-kreun e bashkisë Edi Rama se përveç kumbullave nuk arriti të ndërtojë vlera kulturore për Tiranën.
“Megjithëse Tirana filloi si kryeqytet perëndimor nuk ishte kurrë i tillë. Në 11 vitet e humbura të Tiranës ku qytet nuk mund të gjejë vlera historike përveç kumbullave të kuqe” ka theksuar Berisha.
Kreu i qeverisë vlerësoi të gjitha maketet e paraqitura në këtë ekspozitë. “Ministria e Kulturës dhe Galeria e Arteve realizuan me shumë sukses këtë konkurs, por vështirësitë e përzgjedhjes janë vërtetë serioze, mbasi është e vështirë që në këtë seri kaq të bukur veprash të artistëve të mëdhenj shqiptare, por dhe nga Europa ti përjashtosh nga vendi i parë" tha kryeministri ndërsa shtoi se juria është mjaft kompetente, ndaj dhe Tirana do të ketë një monument për 100 vjetorin e Pavarësisë.
Përzgjedhja e pesë boceteve më të mira do të kryhet nga data 21 deri në 25 mars, më pas ato do ti paraqiten komisionit shtetëror të 100 vjetorit të pavarësisë. Së shpejti pritet të nisë edhe konkursi për monumentet e tre personaliteteve të historisë sonë ,si Ismail Qemali, ajo e mbretit Zog, Hasan Prishtina si dhe një monument i cili i kushtohet “Kongresit të Lushnjës”. Gjithashtu përgjatë këtij viti do të vendosen monumenti i Azem Hajdarit dhe ai i ish-presidentit Tomas Willson. Ndërkohë ende nuk dihet vendi ku do të vendoset monumenti, përmasat dhe kostoja financiare e tij.