Berisha viziton gjashtë herë në dy muaj qarkun e Beratit
PD kërkon të marrë sërish tre mandate në bastionin e majtë
Ruajtja e mandatit të fituar në zgjedhjet e 2009-ës në qarkun e Beratit duket se është një nga objektivat kryesor të Partisë Demokratike në këtë qark, që cilësohet si bastion i majtë. Pikërisht për këtë arsye kryeministri Sali Berisha në më pak se dy muaj ka qenë i pranishëm gjashtë herë në këtë qark. Ditën e djeshme, kreu i qeverisë prezantoi kandidatët për deputetë të PD-së në Poliçan ku i ftoi banorët që të votojnë për Partinë Demokratike. Duke u ndalur tek projekti TAP, kryeministri tha se ai do të hap dhjetëra vende të reja pune si dhe do të bëjë të mundur gazifikimin e çdo familjeje shqiptare.
TAP
Ky projekt do të ndryshojë në mënyrë të rëndësishme jetën e shqiptarëve, sepse do të bëjë të mundur gazifikimin e çdo familjeje shqiptare, do të ulë koston e jetesës, ngrohjen e gatimin me gaz që ka edhe koston më të ulët. Në gazifikimin e Shqipërisë dhe në ndërtimin e TAP-it do të punësohen dhjetëra e dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë, u shpreh kryeministri Berisha.
Kandidatët
Duke u ndalur tek kandidatët për deputetë që garojnë në qarkun e Beratit, kreu i qeverisë akuzoi kandidatin Fidel Ylli ndërsa i ftoi banorët të votojnë për Astrit Veliaj. Këtu tek ju, në garë është Astrit Veliaj dhe nga ana tjetër, në garë është Fidel Ylli. Mendoni të dy i keni të gjakut tuaj, por ju jeni të mençur. Fidel Ylli është një miliarder, i cili humbi mandatin në parlament, sepse duke shkelur Kushtetutën, radion e tij ia dha të motrës dhe e bëri atë milionere brenda natës. Astrit Veliaj është gjithashtu biznesmen, por me lekët e tij hapi universitetin e parë privat në Shqipëri me tarifa publike për ju, për Beratin, për Skraparin, për mbarë Shqipërinë. Besoj se kjo përbën një dallim të madh midis ndjenjave të atdhetarizmit, dashurisë dhe respektit për ju të Astrit Velisë dhe makutërisë, pangopësisë të shokut Fidel Ylli, deklaroi kryeministri Sali Berisha. Në përfundim të fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se edhe 10 ditë e ndajnë PD-në nga fitorja e një mandatit të tretë qeverisës, ndërsa i ftoi banorët e qarkut të Beratit që në 23 qershor të votojnë për koalicionin e djathtë.
Reagon Shalsi: Për 8 vite Berisha injoroi rrugën Lushnjë-Berat
Kandidati për deputet i PS-së, ne qarkun e Beratit, Eduard Shalsi akuzoi kryeministrin Sali Berisha se për tetë vite e injoroi rrugën Lushnje-Berat, ndërkohë që tani në prag të zgjedhjeve u kujtua të inspektonte punimet e rrugës që lidh këtë aks rrugor. Berisha inspektoi sot një copëz investimi në Poshnjë-Berat. Harroi e injoroi për 8 vjet rrugën Lushnjë-Berat, sot u kujtua. Gjatë qeverisjes së tij, kjo rrugë është lënë në gjendje të mjerueshme. Papritur kujtohet 10 ditë para zgjedhjeve për një tjetër mashtrim. Saliu kujton se mund të mashtrojë e të tallet me qytetarët, u shpreh Shalsi.
Imami: Të shtunën hapet rruga Tiranë-Elbasan
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Elbasanit, Arben Imami zhvilloi një takim me gratë e rajonit numër 5 dhe 6 në Elbasan. Gjatë fjalës së tij Imami renditi disa prej arritjeve kryesore të qeverisë në këto 8 vite ndërsa premtoi të tjera investime gjatë mandatit të ardhshëm. Ne brenda këtij katër vjeçari do të mbyllim rigjallërimin dhe infrastrukturën e shkollave në qarkun e Elbasanit. Investimi më i madh është ai i Universitetit të Elbasanit prej 10 milion dollarësh, duke e kthyer bibliotekën e këtij universiteti në një nga më të mirat, tha Imami. Në vijim, Imami akuzoi opozitën dhe kreun e saj për modelin e propozuar për sa i përket arsimit në vend. Z. Rama thotë se ne nuk kemi cilësi dhe propozimi i Z. Rama është të rrisim cilësinë duke shkurtuar numrin e studentëve, por ne nuk e pranojmë këtë, sepse ne duam ta bëjmë Shqipërinë të zhvilluar. Ne do të përpiqemi që me këta student, me këta pedagogë me investime të mëtejshme, me një akreditim edhe më serioz, që arsimi shqiptar të jetë masiv dhe me cilësi. Sepse pa shkollë, pa arsim pa dije nuk mund të ketë zhvillim, u shpreh Imami. Duke u ndalur tek infrastruktura Arben Imami njoftoi se ditën e shtunë do të hapet rruga Tiranë-Elbasan.
Berisha: Socialistët të mendojnë për më të mirën duke votuar për PD
Në vijim të turit të tij në qarkun e Beratit, kryeministri Berisha u ndal në Lapardha ku prezantoi kandidatin Lefeter Maliqi. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë premtoi të tjera investime në qarkun e Beratit gjatë mandatit të ardhshëm ndërsa ftoi socialistët e Beratit që këto 10 ditët e fundit të fushatës zgjedhore të mendojnë për më të mirën e vendit duke votuar për Partinë Demokratike. Dhjetë ditë na ndajnë nga fitorja e madhe. Ndaj dhe unë sot jam këtu për tju bërë thirrje banorëve të Lapardhasë, Otllakut, Lumasit dhe të gjitha komunave të Beratit të gjithë banorëve të rrethit dhe qarkut të Beratit, të bashkohen me ne pavarësisht nga bindjet politike. Ftoj socialistët e qarkut të Beratit, këto dhjetë ditë të mendojnë dhe ne i mirëpresim ata, vota e tyre do të jetë infrastrukturë, do të jetë rrugë, do të jetë ujësjellësa, shkolla, ferma moderne do të jetë zhvillim për komunat për Beratin dhe për Shqipërinë, tha kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë tha më tej se ndërtimi i Boshtit të jugut dhe rruga e Arbrit janë dy projektet e mëdha gjatë katër vjeçarit të ardhshëm. Nga kjo platformë ju garantoj se Boshti i Jugut dhe Rruga e Arbrit, janë dy projektet madhore të katër viteve që vijnë dhe ne do ti ndërtojmë ato dhe ne nuk do të pranojmë kurrë, që Berati ky diamant i trashëgimisë sonë, të qëndrojë si xhep, jo. Ne do ti presim malet, do ti shpojmë me tunel dhe Boshtin e Jugut do ta ndërtojmë mandatin që vjen, deklaroi kryeministri Sali Berisha.