Qeveria sulmon LSI-në, kërkon hetim për ish/drejtuesit e QSUT-së
Auditi i KLSH-së akuzon 3 ish/drejtues të spitalit se kanë emëruar 100 punonjës mbi normë
Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit i shtrirë në sektorin shëndetësor në vend akuzon ish drejtuesit e QSUT-së se kanë abuzuar me detyrën gjatë kohës që kanë drejtuar spitalin më të madh në vend.
Akuzat
Menjëherë pas auditit të KLSH-së, Prokuroria ka nisur hetimet për tre ish-zyrtarë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët ishin emëruar nga qeveria aktuale dhe vinin nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky raport i KLSH-së është bërë publik vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit. Në fakt raporti i KLSH-së është dorëzuar në fund të muajit maj në organin e hetimit, në të cilin dyshohet se tre ish zyrtarët kanë punësuar më shumë se 100 punonjës në qendrën spitalore, jashtë normës së lejuar të strukturës, duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm ekonomik.
Hetimet
Në referim të këtij materiali Prokuroria e Tiranës ia ka përcjellë dosjen Njësisë së Specializuar Task-Force për të kryer hetimet e mëtejshme ndaj tre ish-zyrtarëve për dyshimet e shpërdorimit të detyrës. Ish-Drejtori i Përgjithshëm i QSUT-së, së bashku me dy vartësit e tjerë dyshohet të ketë punësuar gati më shumë se 100 persona përtej strukturës së lejuar duke i shkaktuar shtetit, një dëm ekonomik të konsiderueshëm, thuhet në raportin e KLSH-së.
Drejtuesit
Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, spitali më i madh në vend brenda një kohe të shkurtër i ka ndërruar shumë shpesh drejtuesit e tij. Drejtori aktual Helidon Bushati u emërua vetëm pak muaj më parë, me dorëheqjen (për arsye personale) nga ky post të ish drejtorit Saimir Ivziku, i cili drejtoi spitalin e QSUT për një periudhë prej afro dy vitesh. Ndërkohë më herët herët QSUT është drejtuar nga Ilir Dashi dhe mjekja Gjerogjina Kuli. Kontrolli i Lartë i Shtetit shpesh herë ka nxjerrë raporte negative për spitalet në vendin tonë, ku janë konstatuar abuzime me detyrën nga ana e drejtuesve dhe mjekëve.