E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha viziton ish-deputetin Ervin Salianji në burgun e Fierit

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vizituar në burgun e Fierit ish-deputetin demokrat Ervin Salianji. Berisha shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka.

Kjo është vizita e parë e kreut demokrat në burgun ku po vuan dënimin Salianji. Ish-deputeti demokrat u vetëdorëzua në polici më 27 shtator 2024. Ai u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit me një vit burg për “Kallëzim të rremë” për inskenimin e audiopërgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës, në atë që njihet si çështja “Babale”.

Pas daljes nga burgu i Fierit, Berisha tha se Salianji vuan dënimin vetëm e vetëm se i shërbeu vendit.

“Erdha këtu dhe takova deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, që dergjet, vuan dënimin vetëm e vetëm se i shërbeu vendit, iu shërbeu qytetarëve, kreu detyrën e tij, obligimet e tij duke denoncuar në atë kohë, klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, klanin e Geron Xhafës”, tha Berisha.

“Ervin Salianji, siç dihet, bëri publike regjistrimin e një gazetari guximtar në të cilën faktohej se Agron Xhafa, njeri dhe ai me tre emra, drejtonte trafiqet nga Gjiri i Vlorës drejt Italisë”, u shpreh Berisha.

Berisha tha se “gjendja e Salianjit është natyrisht e një njeriu që përballet me një padrejtësi ekstreme, nuk mund të mos jetë një situatë e papranueshme. Vendosmëria e tij në këtë betejë është e plotë”.

Kreu i PD-së, Berisha ka u shpreh se i ka bërë dhuratë dy libra Salianjit.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›