E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha viziton ushtarakët tanë në shtabin e ISAF në Kabul

TIRANË- “Angazhimet e përbashkëta me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-n ka sjellë një cilësi të re të FASH”, deklaroi Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi që zhvilloi me ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Shtabin e ISAF dhe komandën rajonale në Kabul.

Kryeministri i përgëzoi ata përmbushjen me dinjitet dhe profesionalizëm angazhimet e tyre në kuadër të misionit të tyre në Afganistan, si dhe u përcolli edhe përgëzimet e vlerësimet më të larta të NATO-s dhe komandës së ISAF-it.

Kreu i ekzekutivit vlerësoi se angazhimet e përbashkëta të Forcave të Armatosura Shqiptare me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, me ushtrinë e SHBA-së si në Irak kanë sjellë një cilësi të re për Forcat tona të Armatosura. 

“Kjo veprimtari në fushë betejë është gjithashtu një aset shumë i çmuar, për të përballuar me sukses vështirësitë që krijohen në Shqipëri e në çdo vend, shpesh herë të ngjashme e më të egra se vetë lufta”, u shpreh Kryeministri, duke sjellë në vëmendje përballimin me sukses të disa fatkeqësive natyrore që ka kaluar vendi në këto tre vitet e fundit, ku “vendosmëria, gjakftohtësia, aftësitë e kompetencat e njësive të Forcave të Armatosura kanë qenë përcaktuese.”
Kryeministri Berisha i njohu më tej ushtarakët tanë edhe me reformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe zhvillimet në Shqipëri.

Në përfundim Kryeministri i përgëzoi trupat tanë për "detyrën që kryeni me shume dinjitet e aftësi dhe uroj të ktheni shëndoshë e mirë e faqebardhë në vend".
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›