E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s: Bukureshti do të mirëpresë në aleancë, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë

Ministrat e Mbrojtjes të Aleancës së Atlantikut të Veriut kanë vlerësuar progresin e Shqipërisë dhe dy vendeve të tjera të rajonit, Kroacisë dhe Maqedonisë, duke theksuar se përmes reformave të gjëra të tre këto vende janë të përgatitur për ditën e anëtarësimit. Senatori amerikan, John Mçain, një nga kandidatët më të fortë në garën elektorale për President të SHBA-ve, në fjalën e mbajtur në Konferencën e Sigurisë, në Mynih, deklaroi se “Samiti i Bukureshtit përfaqëson një mundësi për të përçuar demokracinë dhe stabilitetin, me shtimin në Aleancën tonë të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë”. McCain vlerësoi se tre kandidatët e këtij viti për në NATO kanë demonstruar përmes reformave të gjera, se e kanë përgatitur veten për ditën e anëtarësimit. “Është padyshim në interesin tonë të përçojmë stabilitet në Ballkan, rajon që ka qenë kaq gjatë në qendër të konfliktit në këtë kontinent. Ne mund ta bëjmë këtë duke i bashkuar shtetet e Ballkanit plotësisht me Perëndimin dhe duke demonstruar se për sa kohë që ata janë gati për NATO dhe institucionet e tjera euroatlantike, edhe ne jemi gati për ta”, deklaroi zoti McCain. Ndërsa, ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Jung, vuri në dukje se “perspektiva e anëtarësimit në NATO në të ardhmen e afërt të Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, jo vetëm do të japë shumë në sigurinë e këtyre vendeve në mënyrë të veçantë, por gjithashtu do të stabilizojë rajonin si të tërë”. Duke marrë fjalën në këtë Konferencë, ministri i Jashtëm polak, Radoslav Sikorski, deklaroi se “Aleanca nuk mund t’u kthejë kurrizin vendeve që ndajnë vlerat tona dhe që demonstrojnë nivel të mjaftueshëm reformash politike, shoqërore dhe ekonomike”. Sipas tij, Samiti i Bukureshtit do të jetë momenti i duhur për të bërë këtë. Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, deklaroi se “ne duhet të integrojmë më fuqishëm Ballkanin në strukturat euroatlantike dhe të mbajmë hapur derën e integrimit euroatlantik për demokracitë e reja të këtij kontinenti”.
Anëtarësimi në NATO-Basha: Progresi i Shqipërisë është më i konsoliduar se nga të tre vendet e A3/Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, deklaroi dje se progresi i Shqipërisë ka qenë i dukshëm, i konsoliduar dhe ndoshta më i shpejti nga të tre vendet e Kartës së Adriatikut, ndërkohë që konstatohet një konsolidim i qëndrimit të shteteve anëtare të Aleancës, për sa i përket perspektivës së Shqipërisë për të marrë ftesën për anëtarësim. Duke informuar mbi pjesëmarrjen e tij në Konferencën për Politikat e Sigurisë, që u zhvillua në Mynih, Basha sqaroi se për sa i përket marrjes së ftesës për anëtarësim, vendi ka kaluar nga një fazë skepticizmi të pajustifikuar në një fazë optimizmi, i cili ndonëse mund të jetë i justifikuar, nuk i shërben procesit. Në këtë drejtim, Basha vuri në dukje se “Samiti i Bukureshti është Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të Aleancës, dhe iu takon atyre, qoftë edhe në pikëpamjen formale për të thënë fjalën e fundit, në këtë rast për të dhënë ftesën për anëtarësim”. Ndërkohë, ministri Basha theksoi se në kontaktet e vazhdueshme të palës shqiptare, ku më i rëndësishmi ishte takimi i Kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëronte me Këshillin e Atlantikut, vihet re një përparim i dukshëm dhe një konsolidim i qëndrimit të shteteve anëtare të Aleancës, për sa i përket perspektivës së Shqipërisë për të marrë ftesën për anëtarësim”. “Kjo do të thotë se për momentin ne nuk shikojmë pengesa apo vështirësi serioze, por shikojmë vendosmëri të vendeve të Aleancës për të ecur përpara në planet për zgjerimin dhe në të njëjtën kohë, për të thirrur si anëtare të tre vendet potenciale”, deklaroi ministri Basha. Duke garantuar se Shqipëria do të vazhdojë me intensitet deri ditën e fundit përpjekjet për të përmbushur angazhimet para Aleancës, ministri Basha vuri në dukje se “për vendin tonë janë të njohura këto angazhime, të cilat kanë të bëjnë me reformat bipartizane, veçanërisht atë në fushën e drejtësisë dhe reformën elektorale”. Kreu i diplomacisë shqiptare vuri në dukje se “progresi i Shqipërisë ka qenë i dukshëm, i konsoliduar, i shpejtë dhe ndoshta më i shpejti nga të tre vendet, dhe për këtë arsye ne kemi të gjitha bazat për të qenë optimistë për ecurinë e deritanishme dhe të përkushtuar për javët që vijnë deri në Samitin e Bukureshtit. Besoj se ky optimizëm do të justifikohet në fillim të muajit prill, në Bukuresht”, vuri në dukje Basha. Ndërsa, duke u ndalur më gjerësisht në takimet e zhvilluara në Mynih, Basha theksoi se “Konferenca e Sigurisë ka qenë një aktivitet jashtëzakonisht intensiv për diplomacinë, pasi gjatë një periudhe kohore prej 36 orësh jam konsultuar me mbi 20 homologë, personalitete të politikës ndërkombëtare”. Ministri Basha informoi se takimet u fokusuan në “momentet vendimtare për statusin e Kosovës, zhvillimet në prag të samitit të Bukureshtit, ecurinë e proceseve në rajon, si dhe në përgatitjet që Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë për shanset reale për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Duke përmendur takimet me homologët dhe personalitetet e politikës ndërkombëtare, shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha deklaroi se mesazhet e dhëna jo vetëm gjatë këtyre takimeve, por edhe nga podiumet e Konferencës së Sigurisë, janë mesazhe shumë inkurajuese për Shqipërinë. “Avantazhet që Shqipëria ka shënuar tashmë në rrugën e reformave dhe të bashkëpunimit politik brenda vendit, duket se janë konsoliduar më tej, ndonëse vendimi politik do të merret në Samitin e Bukureshtit. Atmosfera është jashtëzakonisht pozitive dhe optimiste për Shqipërinë, pasi nuk kemi asnjë çështje shqetësuese për sa i përket perspektivës së anëtarësimit në NATO”, tha Basha. Sipas tij, shumica dërrmuese e Aleancës shpreh bindjen, se Shqipëria është absolutisht në rrugë të drejtë dhe se vazhdimi në këtë rrugë deri në Samitin e Bukureshtit, nuk mund të konkludohet përveçse me një vendim pozitiv. Duke u ndalur te zhvillimet në rajon, Basha theksoi se në një kornizë të gjerë ato mund të përshkruhen si zhvillime europiane dhe euroatlantike, por në një plan më të ngushtë, fokusohen në vëmendjen e gjithë shteteve të rajonit tonë për objektiva të tilla, si lehtësimi i lëvizjes së lirë në raport me BE-në, pra heqja e regjimit të vizave, apo lëvizje të tjera, të cilat paralajmërojnë fillimin e një realiteti kryekëput të ri. Gjithashtu, Basha theksoi se “u vlerësua roli komplementar që luan pavarësia e Kosovës dhe zgjerimi i hapësirës euroatlantike në Europës Juglindore, për forcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon, si dhe hapja e perspektivës euroatlantike për gjithë vendet e rajonit, duke përfshirë këtu edhe Serbinë, e cila gjatë këtij aktiviteti u përfaqësua në nivelet më të larta, nga Presidenti Boris Tadiç”.
Basha sot në Londër, për të lobuar për marrjen e e ftesës në Bukuresht/Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, nga dita e djeshme po zhvillon një vizitë pune dy ditore në Londër. Ministri Basha do të pritet të martën në një takim, nga ministri i Jashtëm britanik, David Miliband. Perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit, procesi i integrimit në BE-së, zhvillimet në rajonin tonë, në veçanti ato në Kosovë si dhe ecuria e bashkëpunimit dypalësh, do të jenë temat e diskutimit mes dy homologëve. Gjatë qëndrimit në Londër, ministri Basha do të takohet në Parlamentin britanik me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mike Gapes, si dhe me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Dhomës së Lordëve. Ministri Basha është ftuar për të referuar në London School of Economics, ku do të mbajë një fjalë me temë, “Integrimi europian dhe euroatlantik i Europës Juglindore”.
Bullgaria rikonfirmon mbështetjen e plotë në integrimin e Shqipërisë në NATO/Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, gjatë një takimi dje, me Ambasadorin e Bullgarisë në Tiranë, Theodor Roussinov, vlerësoi mbështetjen që Bullgaria i jep Shqipërisë për anëtarësimin në strukturat euroatlantike. Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve tradicionale të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe shprehën vullnetin për thellimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, kryesisht në atë të bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe tërheqjes së investimeve. Gjatë takimit, ministri Basha vuri në dukje vendin e posaçëm që ka sot në rajon dhe rolin që luan Bullgaria, si një vend anëtar i BE dhe NATO-s. Ministri Basha vlerësoi gjithashtu qëndrimin e qeverisë bullgare për një zgjidhje të drejtë të çështjes së Kosovës, zgjidhje e cila do t’i shërbejë krijimit të një rajoni plotësisht të sigurt dhe të qëndrueshëm, të begatë dhe pjesë të Bashkimit Evropian. Nga ana e tij, Ambasadori Roussinov rikonfirmoi mbështetjen e plotë që Bullgaria i jep Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe BE dhe shprehu besimin se Shqipëria do të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Në fund të takimit, ministri Basha shprehu dëshirën për realizimin e vizitës së homologut të tij bullgar, Ivailo Kalfin, sa më shpejt në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›