Berisha, yll që po shndrit

Dardan Berisha ka nis të shkëlqejë në Kampionatin evropian ‘Eurobasket 2011’, i cili po mbahet në Lituani. Basketbollisti kosovar shpejt dhe sigurt po i dëshmon cilësitë e tij në basketbollin evropian.
23 vjeçari nga Peja tashmë është bërë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në përfaqësuesen e Polonisë, e cila në fazën e grupeve të ‘Eurobasket 2011’ garon në Grupin A bashkë me Spanjën, nikoqirin Lituaninë, Turqinë, Portugalinë dhe Britaninë e Madhe.
Pas tri ndeshjeve të fazës së grupeve, ish basketbollisti i Pejës i ka shënuar në mesatare prej 8.7 pikëve për lojë, 2.7 kërcime dhe 2 asistime.
Në ndeshjen e parë ndaj Spanjës, ai nuk e kishte shënuar asnjë pikë. Por, dhjetë sosh i kishte realizuar në takimin e dytë ndaj Lituanisë. Mirëpo, Berisha të premten mbrëma ishte njëri prej më meritorëve që Polonia e regjistroi fitoren e parë në Grupin A, duke mposhtur Portugalinë me rezultat 81:73. Lojtari i Anwil Wloclawek i shënoi plotë 16 pikë dhe së bashku me realizuesin më të mirë Lukasz Koszarek (18) udhëhoqën Poloninë drejt fitores.
“Të them të drejtën, loja ime e parë ishte e vështirë për mua. Mirëpo, në lojën e dytë luajta mirë, por si ekip funksionuam dobët. Kurse ndaj Portugalisë fillimisht luajtëm dobët, sidomos në sulm. Mirëpo, në çerekun e tretë luajtëm mirë në mbrojtje dhe në sulm ishim të shpejtë dhe fituam me meritë”, ka thënë Berisha.
“Ndeshja e tretë ishte më e mira e imja deri më tani dhe jam i kënaqur me atë paraqitje timen. Ishte lojë e rëndësishme për ne dhe isha koshashënuesi i dytë për ekipin tim. Kisha kërcime dhe asistime, andaj mendoj se kam luajtur mirë në takimin e fundit”, u shpreh ai.
Berisha me Poloninë të dielën do ta sfidojë kampionin aktual të Evropës e botës, Turqinë. Ai thotë se skuadra e tij do të përpiqet ta befasojë skuadrën turke. “Mendoj se do të jetë shumë vështirë për ne sepse do të luajmë ndaj një skuadre të fortë siç është Turqia. Megjithatë, do të luftojmë për ta fituar atë ndeshje”, përfundoi ai.
Spanja aktualisht është lidere e këtij grupi me 6 pikë, sa ka edhe Lituania në vendin e dytë. Turqia është e treta me pesë pikë, kurse Polonia është e katërta me 4 pikë. Portugalia dhe Britania e Madhe pozicionohen në pozitat pesë dhe gjashtë me nga tri pikë.