Holanda, më e mira ndonjëherë

Sulmuesi Robin van Persie ka lavdëruar ekipin aktual të Holandës si më të mirin që ka luajtur ndonjëherë në të, pas shkatërrimit të San Marinos.
Në atë që përfaqësonte duelin mes një ekipi kulmor dhe atij inferior në renditjen e FIFA-s, Van Persie shënoi katër gola, derisa Holanda fitoi 11-0 të premten në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012 dhe atë në mungesë të disa prej futbollistëve kryesorë.
“Gjithmonë do të ketë ndeshje të cilat janë më të vështira, por ne kemi aq shumë futbollistë të mirë. Van der Vaart mungoi, Afellay, De Jong dhe Robben. Ky është një grup i fuqishëm. Sa i përket kualitetit, ky është ndoshta grupi më i mirë në të cilin kam qenë pjesë”, tha Van Persie për www.onsoranje.nl.
Kundër San Marinos, Van Persie u angazhua nga selektori Bert van Marwijk prapa Klaas Jan Huntelaarit, rol i cili i pëlqeu. “Kisha rol të lirë. Në Arsenal luaj si sulmues, diçka që bëj çdo ditë”, përfundoi ai.
Fitorja i mundësoi Holandës të ruajë rekordin e qindpërqindtë në Grupin E. Tri ndeshje para fundit të fushatës kualifikuese, Tulipanët kryesojnë me gjashtë pikë më tepër se Suedia dhe Hungaria, që kanë një takim më tepër të zhvilluar.