E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha zgjidh qesen për Nishanin, i shton edhe 13 milionë lekë

Fatjona Mejdini

Pas fondit për vilën jepen shtesa edhe për shpenzime korrente

Nga pikëpamja financiare, vetëm gjatë muajit gusht, Presidencës i janë akorduar 64 milionë lekë shtesë nga qeveria

Është hera e parë pothuajse pas 5 vitesh që Presidenti i Republikës shoqërohet në një vizitë zyrtare nga anëtarët e kabinetit

Fatjona Mejdini

Qeveria zgjidh sërish qesen për Presidentin Bujar Nishani. Ndërsa me Presidentin paraardhës Bamir Topi, ndodhi e kundërta, kur iu shkurtuan jo vetëm fondet e institucionit, por edhe iu ngushtua hapësira për udhëtime dhe veprimtari politike. Për kreun e ri të shtetit të zgjedhur vetëm me votat e PD-së ka pasur një bujari të dukshme, ku brenda vetëm një muaji qeveria akordoi 64 milionë lekë të reja në kuadër të shpenzimeve korrente, pra paga administrate dhe shpenzime administrative, që do të thotë pajisje zyrash, shpenzime udhëtimi etj. Pas dhënies së një fondi prej 51 milionë lekësh për rikonstruksionin e vilës ku do të banojë, qeveria i akordoi dje Presidentit të ri dhe një shumë prej 13 milionë lekësh për shërbime korrente. Por duket se dashamirësia e qeverisë ndaj kreut të ri të shtetit nuk kufizohet vetëm në anën financiare. Marrëdhëniet e afërta duken qartazi edhe nga fakti që në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, Nishani do të shoqërohet nga dy ministra të kabinetit Berisha dhe nga disa deputetë të mazhorancës parlamentare. Kjo marrëdhënie e afërt mes institucionit të Presidencës dhe qeverisë nuk është parë prej shumë vitesh në vend. Këtu vlen të kujtohet se marrëdhëniet mes qeverisë dhe ish-kreut të shtetit, Bamir Topit, ishin aq të acaruara sa përfaqësuesit e mazhorancës nuk nguronin dhe të bënin akuza publike kundrejt ish-presidentit.

Fondet

Buxheti i akorduar për shpenzimet e Presidencës gjatë vitit 2012 duket se nuk mjafton që nga momenti që Bujar Nishani është zgjedhur kreu i ri i shtetit. Vetëm dje, Këshilli i Ministrave mori vendimin për ti akorduar këtij institucioni një shtesë fondi prej 13 milionë lekësh, të cilat theksohen se do të përdoren për shpenzime korrente. Presidencës, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, ti shtohet fondi prej 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2012.

Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi, theksohet në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave, por pa përcaktuar llojin e shërbimeve për të cilat këto para do të përdoren. Vetëm pak javë më parë, qeveria i akordoi Presidencës një fond prej 50 milionë lekësh, për të rikonstruktuar vilën ku familja presidenciale do të jetojë dhe që është pjesë e Pallatit të Brigadave. Brenda muajit gusht, kreut të shtetit iu miratua një rritje e lehtë e rrogës. Ky kurs i ri i ndjekur nga qeveria në kuadër të trajtimit financiar ndaj Presidentit të ri është krejt i ndryshëm ndaj atij që ndiqej ndaj ish-kreut të shtetit, Bamir Topi.

Mbështetja

Kreu i ri i shtetit, Bujar Nishani, u nis dje drejt Kosovës për të zhvilluar aty vizitën e tij të parë. Por ndryshe nga të gjitha herët e tjera, Nishani po shoqërohet në këtë takim nga përfaqësues të lartë të qeverisë dhe mazhorancës në Parlament. Në krahë të Nishanit, për këtë vizitë të parë në Kosovë, do të jenë dhe dy ministra të qeverisë Berisha, ai i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj dhe ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Nga ana tjetër, pjesë e delegacionit është dhe zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi, dhe deputeti demokrat, Fatos Hoxha. Për herë të parë në rreth pesë vite, një delegacion i kryesuar nga Presidenti i Republikës, shoqërohet nga ministra dhe përfaqësues të tjerë të opozitës. Kjo për shkak të marrëdhënieve tepër të acaruara që ekzistonin mes ish-kreut të shtetit, Bamir Topi, dhe mazhorancës qeverisëse. Këto marrëdhënie sollën efektin e tyre dhe në shumë institucione, puna e të cilave varej pikërisht nga bashkëveprimi i qeverisë me institucionin e Presidencës.

Detaje

Tradita - Presidenti i ri i vendit, Bujar Nishani, ka preferuar të ruajë traditën e paraardhësve të tij, duke e zhvilluar në Kosovë vizitën e parë zyrtare

Pasojat - Mbështetja e madhe e mazhorancës ndaj Presidentit Nishani duket se do të ndryshojë dhe mënyrën sesi ky institucion do pozicionet në jetën politike të vendit.

Berisha zgjidh qesen për Nishanin, i shton edhe 13 milionë lekë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›