E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha zhgënjen rektorët, nuk miratohet rritja e tarifave të studimit

Kryeministri Berisha ka pohuar se për vitin akademik 2010 2011 nuk do të ketë rritje të tarifave në Universitet publike. Lidhur me tarifat e shkollimit, kryeministri theksoi se ato nuk do të rriten, pasi ky është një premtim elektoral, të cilit qeveria do ti përmbahet.

Ua bëni të ditur drejtuesve të universiteteve, se qeveria do t'i kompensojë me buxhet. Duke ruajtur kuotat e këtij viti dhe pa asnjë ndryshim tjetër, e vetmja gjë, në rast se rektorët  e gjykojnë se është e nevojshme, për këtë arsye, mund të kenë një marzhë lëvizje nga 13 mijë në 30 mijë siç është e përcaktuar, ka thënë Berisha duke shtuar se drejtuesit e universiteteve nuk duhet të ndihen inferior. Unë e kuptoj që këtu do të ketë një hatërmbejtje nga ana e drejtuesve të universiteteve, por unë në çdo rast nuk mund të mos jem me studentët, ka thënë Berisha duke justifikuar se kam qenë vetë pedagog universiteti dhe me ata ndihem koleg, ndërsa me studentët e ndjej veten ndryshe. Nuk mund të lejoj që studentët të tatohen më shumë. Ndërkohë, ka premtuar Berisha, ne do të organizojmë një seri diskutimesh, debatesh, me drejtues të universiteteve për mekanizmin financiar të universiteteve, i cili do t'i japë një përgjigje edhe më të mirë këtij problemi, ku do të vendosim se cilat do të jenë rrugët  e financimit. Do të kontraktojmë mekanizma të reja financiare për studentët, do të krijohen mundësi të reja, do të fillojë sistemi i kreditimit, si kudo edhe këtu, dhe të gjitha këto do të bëjnë të ketë një frymëmarrje financiare më të madhe nga ana e universiteteve, ka thënë ai. Në asnjë rrethanë, për një vend në stadin që ka vetëm dy vjet i shkëputur nga grupi i vendeve të varfra, nuk mund të pretendohet që mund të ecet duke rritur tarifat njëra pas tjetrës. Kjo duhet të jetë një politikë shumë e kufizuar. Unë e kuptoj se me Ministrin e Financave, këto janë rakorduar me rektoratet, por ky është një zotim që e kam marrë në mënyrë publike që tarifat nuk mund të rriten. Për këtë kam premtuar dhe kam bërë fushatë nëpër Shqipëri

Last Updated on E Enjte, 08 Korrik 2010 08:49

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›