E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani në një spital të Parisit

 

Aristir Lumezi

Qeveria franceze me një avion ushtarak ka dërguar Rexhep Meidanin në një spital të Parisit pas një problemi kardiak.Të premten nga Rinasi Meidani ka fluturuar drejt Parisit. Ka qenë një shqetësim i papritur që ka vënë në alarm familjarët e ish- presidentit të Shqipërisë për të bërë akomodimin e tij në një institucion të specializuar shëndetësor. Lajmi konfirmohet nga autoritetet shqiptare që janë vënë në dijeni për problemin shëndetësor të ish-presidentit. Ndërkaq familjarët kanë kërkuar që të mos bëhet publike diagnoza e Meidanit.  Burime nga Ministria e shëndetësisë pohojnë se, janë njoftuar për problemin me shëndetin e zotit Meidani, dhe kanë qenë në procesin e hartimit të dokumentacionit të plotë për dërgimin e tij në Greqi, ku shteti shqiptar ka dhe një bashkëpunim më të ngushtë dhe më pak burokratik për raste të tilla. Por duket se çdo gjë është zgjidhur privatisht nga familjarët e ish-presidentit, përmes kontakteve të tyre me qeverinë franceze. Kujtojmë se ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani është anëtar i Klubit të Madritit, një forum që përbëhet nga ish-presidentë, ish- kryeministra dhe personalitete të larta të sferës së politikës në mbarë botën. Një ndër anëtarët e këtij klubi është dhe ish- presidenti amerikan Bill Klinton dhe ish-kryeministri francez Zhospen. Rexhep Meidani, president i vendit në vitet 1997-2002 ka marrë mbi 10 tituj Honoris Causa nga universitetet më të rëndësishme të botës. Ish-kreu i shtetit shqiptar, vlerësohet si një personalitet me integritet të lartë moral, por dhe me një aktivitet të ngjeshur politik si para ashtu dhe pas mbarimit të mandatit të tij presidencial. Por kontributi i tij, në ndihmë të konsolidimit të institucioneve të shtetit të së drejtës, kanë vazhduar gjerësisht edhe në vitet e fundit, përmes konferencave, tryezave dhe angazhimit të tij me opinione dhe komente në media rreth situatave dhe ngjarjeve të rëndësishme politike në vend dhe në rajon. Mësohet se gjendja shëndetësore e zotit Meidani është përmirësuar dhe po ndiqet nga mjekët më të mirë francezë të kësaj fushe.

Godo: Do ta dërgonim për kurim në Greqi

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaron për “Panorama” se është vënë në dijeni të problemeve shëndetësore të ish-presidentit Rexhep Meidani nga deputeti i PDR-së, Tritan Shehu. Kryetari i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë ka qenë personi që e ka vënë në dijeni për një rast të tillë. Ministrja shprehet se, “pasi ka mësuar se për kujdesin mjekësor merrej mjeku i njohur Mentor Petrela, ka kërkuar paraqitjen në mënyrë të shpejtë të epikrizës për të përfshirë në listën e personave për t’u kuruar jashtë shtetit”. “Në këtë mënyrë, pas marrjes së epikrizës do t’i kërkoja kryeministrit që ta dërgonim ish-presidentin për kurim në Greqi. Por më morën në telefon dhe më thanë që ish-presidenti Meidani kishte ikur privatisht në Francë për kurim, çka solli më pas pezullimin e procedurës. Pra, nuk arrita ta dërgoj, sepse kishte ikur në rrugë private”, deklaron ministrja Godo.

Shehu: Kam folur me disa institucione
Kryetari i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu, në një prononcim për gazetën “Panorama”, deklaron se ka kontaktuar me disa prej institucioneve shtetërore, me qëllim për të realizuar një ndërhyrje mjekësore jashtë Shqipërisë për ish-presidentin Rexhep Meidani. Shehu, nisur nga njohjet personale me profesor Meidanin, si dhe nga fakti që vetë profesionin e parë ka pasur mjek, ka kryer disa takime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Ai thekson se pas vënies në dijeni të problemeve shëndetësore të Meidanit, ka nisur interesimin e mëtejshëm. Deputeti i PDR-së shprehet se nuk është në dijeni për mënyrën e dërgimit drejt Francës të ish-presidentit shqiptar. “Kam kontaktuar me disa mjekë dhe jam njohur për problemin shëndetësor. Më pas kam kontaktuar me disa drejtues institucionesh për të mundësuar kurimin jashtë shtetit”, thekson Shehu për “Panorama”. “Unë kam folur me familjen e ish-presidentit Meidani, është mirë, shpresoj të jetë shumë mirë, i uroj një shërim sa më të shpejtë”, deklaroi Shehu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›