Berisha:Hetim profesional, për të kaluar këtë situatë

Një hetim profesional, gjithëpërfshirës, i paanshëm dhe i besueshëm është themelor për kapërcimin e situatës së krijuar dhe për të ardhmen e shtetit ligjor. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi me Zëvendëspresidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), zonjën Shari K. Brajan dhe Drejtorin Rajonal për Evropën Qëndrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin.
Kryeministri Berisha i shprehu përfaqësuesve të NDI vlerësimet për punën dhe kontributin 15 vjecar që ky organizëm ka ofruar vazhdimisht nëpërmjet programeve të ndryshme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare si dhe rolin e saj në fusha themelore të demokratizimit të vendit. Kryeministri e siguroi Zëvendëspresidenten e Institutit, zonjën Bajran për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi shumë frytedhënës.
Zëvendëspresidentja e NDI, zonja Brajan shprehu kënaqësinë për zhvillimin e madh dhe progresin e arritur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, në fusha të rëndësishme për vendin.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e NDI vlerësuan mbështjetjen e vazhdueshme të kryeministrit Berisha ndaj nismave të ndërmarra nga Instituti Amerikan në Shqipëri.
Në takim, Berisha u ndal tek reformat e qeverisë shqiptare që nga viti 2005, në luftën kundër korrupsionit dhe për mirëqeverisjen e vendit, të cilat kanë rritur transparencën dhe efikasitetin e qeverisjes. Kryeministri theksoi se lufta kundër korrupsionit është dhe mbetet prioritet i reformave të qeverisë.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e zgjedhjeve për pushtetin vendor të 8 majit. Nga ana e saj, zonja Brajan shprehu angazhimin e NDI për të ofruar në vazhdimësi kontributin dhe bashkëpunimin në mbështetje të të gjitha proceseve demokratike në vend.