E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama figura potenciale përballë Bashës”

07/03/2011  Gara për kryesimin e Bashkisë së Tiranës, PS vendos rikandidimin e kreut aktual

Partia Socialiste bën gjithnjë e më të qartë figurën me të cilën do të përfaqësohet në garën e fortë elektorale për kreun e bashkisë së kryeqytetit në zgjedhjet vendorë të 8 majit. Kështu, veç sinjaleve të qarta të lëshuara mbi këtë çështje nga vetë kryetari i kësaj partie Edi Rama, njëherësh kryebashkiaku i Tiranës, tashmë rikandidimi i këtij të fundit për një post të tillë konfirmohet zyrtarisht nga përfaqësues të kampit rozë. Në këtë mënyrë, nisur nga vetë rëndësia që ky kamp i jep procesit zgjedhor të radhës, pritet që PS-ja të përfaqësohet sërish me emrin e Edi Ramës, i vlerësuar si kandidatura më potenciale në radhët e opozitës.

Deklarata

“Rikandidimi i Ramës do të jetë më i mundshëm, në kushtet kur Opozita e Bashkuar i shikon këto zgjedhje më shumë si politike sesa lokale”, - ishte deklarata e bërë nga koordinatori në Partinë Socialiste Erion Veliaj lidhur me një çështje të tillë. Madje, gjatë prononcimit të tij Veliaj sqaroi deri diku dhe arsyet pse kupola rozë ka vendosur të bëjë një zgjedhje të tillë. Sipas tij, emri i zgjedhur nga kampi kundërshtar në garën për kryesimin e Bashkisë së Tiranës i ka diktuar PS-së të rikandidojë kryetarin aktual të kësaj bashkie. Në vlerësimin e Veliaj ky rikandidim do të ishte opsioni më i mirë përballë Lulzim Bashës, kandidatura që pritet të përfaqësojë kampin blu në zgjedhjet lokale të 8 majit. Parë në këtë këndvështrim, kreu i PS-së mbetet kandidatura më e mundshme që kjo parti të përzgjedhë për Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që në ditët në vijim pritet të zyrtarizohen edhe emrat që do të kandidojnë në emër të PS-së në zgjedhjet e 8 majit.

Qëndrimi

Nga ana e tij kampi opozitar do të vijojë të ndjekë të njëjtën strategji mbi të cilën ka vepruar deri më sot. Kështu, Partia Socialiste do të shfrytëzojë të gjithë periudhën elektorale për të zhvilluar takime jo vetëm me anëtarësinë e saj, por edhe duke zhvilluar protesta kundër qeverisjes aktuale, ku në qendër është kërkesa permanente e largimit të saj dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme.

Gara elektorale

Kryetari i komisionit për pushtetin vendor në Partinë Socialiste, Bashkim Fino, sqaroi mënyrën se si selia rozë po organizon fazën e përzgjedhjes e kandidaturave për kandidatë për zgjedhjet lokale të 8 majit. Gjatë fjalës së tij, deputeti Fino vuri në dukje se brenda marsit Asambleja kombëtare, do të shpallë zyrtarisht çeljen e fushatës dhe do bëjë publike emrat me të cilat PS do të përfaqësohet në këto zgjedhje. Edhe pse nuk bëhen publike emrat sipas deputetit Fino, figurat aktuale të Bashkive kryesore janë kandidatët kryesore. Por nga ana tjetër, përfaqësuesi socialist nxitoi të vinte theksin në faktin se në këto raste do te respektohet procedura sipas statutit të Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›