E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha:Jo pakt me puçistët. Topi mbylli sytë para dhunës

Kryeministri Berisha ka deklaruar se nuk do të ketë një marrëveshje me kreun e opozitës Edi Rama pa u ndërshkuar puçistët që sulmuan kryeministrinë.

Në një konferencë për shtyp vetëm pak orë para nisjes së manifestimit të opozitës, kreu i qeverisë ka theksuar se nuk mund të bëjë një marrëveshje me puçistët pa u marrë përgjegjësitë ligjore.
 

"Nuk ka zgjidhje pa ndërshkimin e puçit. Nuk bëj marrëveshje me puçistë. Kur të merren përgjegjësitë ligjore atëherë” theksoi Berisha.

Gjithashtu duke iu përgjigjur edhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për zgjedhjet e parakohshme kryeministri Berisha theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen vetëm në vitin 2013 atëherë kur i mbaron mandati edhe kësaj qeverie.

“Zgjedhjet do të jenë në vitin 2013 dhe do shohë edhe të dielën më të fundit për t`i organizuar” theksoi Berisha.

Ai gjithashtu deklaroi edhe njëherë se do të respektohet plotësisht e drejta e protestës por theksoi se nuk do të lejohet asnjë lloj dhune të ushtrohet mbi institucionet e vendit.
 

“S`kemi asnjë lloj shmangie pavarësisht sulmit sikundër garantoj se aktet e dhunës do të përballen me ligjin dhe vetëm ligjin. Sa është e pacënueshme, e paprekshme e drejta e protestës po aq të paprekshme janë vlerat dhe institucionet kushtetuese të vendit” theksoi më tej Berisha.
 
Gjithashtu kryeministri Berisha ka sulmuar edhe presidentin Topi se nuk e ka dënuar dhunën e ndodhur në demonstratën e 21 janarit.
Sipas tij kreu i shtetit nuk tha asgjë për dhunën e ushtruar ndaj policëve dhe gardistëve si dhe ndaj flamurit por e cilësoi aktet e dhunshme si “ngjarjet në bulevard”.

“Zoti Topi nuk pa policë që gjuheshin barbarisht, nuk pa policë që u hidhej flaka për t`i djegur, nuk pa policë të shtrirë në tokë dhe që protestuesit u turreshin si kafshë të egra, nuk pa flamurin që një protestues e hodhi si leckë. Po them një të vërtetë shumë të hidhur dhe shumë të trishtuar, por është një e vërtetë që do hetohet nga komisioni parlamentar”, ka deklaruar Berisha.

Ndërkohë kryeministri Berisha nuk la pa sulmuar edhe kryeprokuroren Ina Rama se nuk ka nisur asnjë hetim për sulmin që iu bë institucioneve të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›