Pritet të nisë manifestimi homazh i opozitës
Pritet të nisë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” manifestimi homazh i opozitës në nder të 3 viktimave të demonstratës të 21 janarit.
Demonstrata homazh pritet të nisë në orën 14:00 nga ura e Lanës pranë hotel “Dajti” për të vazhduar më pas me një marshim deri tek kryesia e Kuvendit.
Ndërkohë në bulevardin para kryeministrisë janë vendosur fotografitë e tre viktimave të demonstratës së 21 janarit si dhe janë vendosur edhe lule në vendet ku ata u vranë.
Gjithashtu forca të shumta policie kanë rrethuar godinën e kryeministrisë si dhe institucionet e tjera të vendit.
Sipas PS-së heshtja, lulet dhe qirinjtë, do të jenë mjetet e demonstrimit në kujtimim të tre viktimave ndërsa nuk do të ketë asnjë parrullë apo thirrje kundër qeverisë.