E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ignatavitius-Topit: Të gjendet gjuha e dialogut mes palëve

Përfaqësuesi i Kryetarit të Radhës së OSBE-së, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Lituanisë, zotin Evaldas Ignatavitius ka deklaruar se është e rëndësishme gjetja e gjuhës së përbashkët mes forcave politike për zgjidhjen e situatës së rëndë ku gjendet vendi.
Në një takim me kreun e shtetit Bamir Topi, Ignatavitius ka nënvizur rëndësinë se duhet të gjendet vullneti për një dialog sa më të shpejtë e konstruktiv në shërbim të interesave madhore të Shqipërisë e po ashtu, heqja dorë e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politikë nga gjuha e urrejtjes, që mund të nxisë çfarëdolloj akti të dhunshëm, që cënon rendin publik, institucionet kushtetuese dhe stabilitetin, e për më tepër sigurinë e jetës për qytetarët shqiptarë.
Nga ana e tij kreu i shtetit nënvizoi qëndrimin e tij institucional dhe vullnetin maksimal për vendosjen e një dialogu të menjëhershëm mes partive politike në vend, të shoqëruar nga pjekuria, vizioni dhe toleranca politike.
Presidenti Topi vuri në dukje se të gjitha këto duhet të nxiten dhe të udhëhiqen nga nevoja e qytetarëve shqiptarë për qetësi dhe stabilitet në shërbim të mirëqenies dhe një të ardhmeje të sigurt për ta.
“Në momentet kur ne jemi kaq pranë realizimit të aspiratës së shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane është në detyrën dhe dinjitetin e gjithsecilit prej nesh të gjejmë forcën e vullnetin e duhur politik dhe të zbatojmë të gjithë mekanizmat ligjorë për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve që cënojnë të ardhmen tonë evropiane”, - u shpreh Kryetari i Shtetit.
Në këtë pikë Kreu i Shtetit nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e madhe të zhvillimit të një hetimi tërësor, profesional, të paanshëm dhe transparent për ngjarjet e 21 janarit si dhe ruajtjen dhe respektin e plotë të institucioneve të pavarura kushtetuese, në mënyrë që gjithsecili prejt tyre të bëjë punën e vet dhe me përgjegjësi maksimale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›