Berisha:Rama të finalizojë planin urbanistik

Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha po mbahet mbledhja e KRRTRSH-së për vendimet dhe lejet e para të 2009-ës.Kryeministri Berisha kërkoi që mbledhjet e KRRTRSH-së të mbahen të hapura. "Në ligjin e ri të urbanistikës të përcaktohet zhvillimi në transparencë të plotë i mbledhjeve të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë", deklaroi kryeministri. Berisha i kërkoi kryebashkiakut Edi Rama të finalizojë planin urbanistitk të qytetit pasi sipas tij po kalohet çdo lloj limiti kohor. Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "disa atribute të këtij institucioni, ligji i ri i urbanistikës ia kalon Këshillit të Ministrave, mbledhjet e të cilit në mënyrë taksative përcaktohen nga Kushtetuta e Shqipërisë që duhet të bëhen të mbyllura".Por, sipas Kryeministrit Berisha "nuk mund të diskutohen çështje të territorit pa praninë e grupeve të interesit, shoqatave dhe aktorëve të tjerë, pasi ky proces dëmtohet". Berisha deklaroi se në në ligjin e ri të urbanistikës është kërkuar që të pranishëm në këtë mbledhje të jenë edhe përfaqësues të shoqatave të qeveritarëve vendor, shoqatave të bashkive, komunave dhe shoqatave të qarqeve. "Kjo e rrit transparencën e këtij forumi, të cilin mendoj që duhet ta mbajmë kështu siç është aktualisht", u shpreh kryeministri Berisha.