Berisha: Shqipëria, një nga vendet e zhvilluara për arsimin

Kryeministri Berisha ka uruar sot nxënësit e shkollës “Besëlidhja” në Lezhë me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor 2012-2013. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ndërsa e cilësoi arsimin si një nga prioritetet kryesore theksoi se qeveria ka dëshmuar gjatë këtyre viteve përkushtimin e saj ndaj arsimit duke bërë të mundur ndërtimin e shkollave dhe rritjen e rrogave për mësuesit.
“Sot nisin garën e dijes 560 mijë nxënës në të gjithë vendin, prej të cilëve 36 mijë janë për herë të parë në bankat e shkollës. Shkolla është vatra e dytë më e ngrohtë pas familjes, dhe për këtë një mirënjohje shkon për të gjithë mësuesit. Kjo mazhorancë ka dëshmuar gjatë këtyre viteve përkushtimin e saj ndaj arsimit dhe fakt i kësaj janë ndërtimi apo rikonstruksioni i 12 shkollave vetëm në rrethin e Lezhës me vlerë 500 milionë lekë. Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë dhe kemi mundësuar laboratore moderne. Mësuesit kanë marrë vlerësim maksimal, pasi në kohë rekord paga e tyre është rritur me 120 %” theskoi Berisha
Gjithashtu kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka që Shqipëria të arrijë vendet e zhvilluar në fushën e dijes.
“Shqipëria e dijes do të jetë Shqipëria e zhvilluar. Kemi arritur vendet e zhvilluara në arsim, pasi 91 % e nxënësve që përfundojnë shkollën 9-vjeçare vazhdojnë shkollën e mesme, dhe 71 përqind e atyre që përfundojnë arsimin e mesëm ndjekin arsimin e lartë. Këtë vit nxënësit e klasave të para kanë abetaren e parë mbarëkombëtare” shtoi Berisha.
Ndërkohë sot në të gjithë vendin ka nisur viti i ri shkollor 2012-2013. Rreth 560 mijë nxënës në të gjithë vendin nisin sot shkollën ndërsa 360 mijë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës.