E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri shkollor, Presidenti Nishani uron nxënësit

Kreu i shtetit Bujar Nishani ka uruar sot të gjithë nxënësit me rastin e nisjes së vitit të ri shkollore 2012-2013. Në urimin e tij drejtuar të gjithë nxënësve në të gjithë vendin, presidenti Nishani shprehet kjo ditëshënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e shoqërisë shqiptare drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur.
 

“Urimi im i parë shkon për ju nxënës, që për herë të parë sot do të uleni në bangat e shkollës për t`u njohur me mësuesen e parë, me bashkëmoshatarët tuaj dhe shokët e klasës. Në mënyrë të veçantë, ju përgëzoj dhe uroj ju nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, sepse jeni në vijim të formimit tuaj arsimor dhe tashmë keni të qartë idenë mbi ecurinë tuaj të mëtejshme në kërkim të dijes e të një profesioni të duhur e të përshtatshëm në të ardhmen” shton Nishani.
 

Gjithashtu kreu i shtetit i ka bërë thirrje edhe fëmijëve të cilët e kanë braktisur shkollën duke u kërkuar atyre të kthehen në bangat e shkollës. “Sot është dita kur ju bëj thirrje të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t`i rikthehen sa më parë asaj. Gjithashtu ju uroj mirëseardhjen të gjithëve ju, fëmijëve të emigrantëve që jeni rikthyer në Shqipëri, duke besuar se do t`ju krijohen të gjitha mundësitë për përmirësimin e njohurive në gjuhën amtare si dhe në lëndët e tjera ku ju keni nevojë” shton Nishani.
 

Kreu i shtetit ka uruar edhe mësuesit për të cilët ka shprehur vlerësimin maksimal për punën e tyre në edukimin e brezave.
“Sot është edhe dita juaj, të dashur mësues. Kam kënaqësinë që me anë të këtij mesazhi të shpreh vlerësimin tim dhe mirënjohjen për të gjithë përkushtimin, profesionalizmin, vlerat dhe virtytet njerëzore që ju dini të dëshmoni dhe transmetoni gjatë punës suaj në edukimin e brezave të ardhshëm. Këtu desha të përgëzoj Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për nismën e saj në futjen e shërbimit psikologjik shkollor, që do të synojë në angazhimin e trajtimit të problemeve, që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtës për arsim, me fokus fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët romë, egjiptianë dhe të gjithë fëmijët në nevojë. Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë ky mision i juaji, të dashur mësues, merr një domethënie dhe rëndësi të jashtëzakonshme në ruajtjen e traditës dhe zhvillimit të mëtejshëm cilësor të arsimit shqiptar, sepse mendja e një kombi është arsimimi i tij” përfundon Nishani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›