E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha:Shqipëria përpjekje të mëdha për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO

“Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për t’u afruar me NATO-n dhe merituar ftesën për anëtarësim. Kështu është shprehur dje kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në forumin me temë “Axhenda e Sigurisë dhe Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor”, Kryeministri Berisha tha se këto vitet e fundit Shqipëria ka faktuar se është një demokraci që funksionon, natyrisht jo pa probleme, ka faktuar se është një demokraci funksionuese dhe një shtet ligjor që predominon. Sipas tij, provat politike që kaloi vendi gjatë këtyre viteve janë dëshmia më e qartë e kësaj. “Fryma politike që ekziston sot në vend është një arritje tjetër e madhe, e cila garanton për promovimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të reformave. Lufta e Shqipërisë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, vendosja para ligjit pothuajse e të gjitha grupeve kriminale, rreth 204 grupeve dhe organizatave kriminale, ndalimi dhe vendosja para drejtësisë e mbi 900 anëtarëve dhe drejtuesve të këtyre organizatave, shndërrimi i Shqipërisë në një vend të sigurtë për qytetarët e saj, janë ndër arritjet madhore në fushën e sigurisë”- theksoi kryeministri. Më tej, ai tha se kontrolli i integruar i kufijve, zvogëlimi në shkallë të madhe i të gjitha llojeve të trafiqeve kanë bërë të mundur nënshkrimin e marrëveshjes për lehtësimin e vizave dhe hapjen e procesit për liberalizimin e plotë të tyre me Bashkimin Europian. Ai theksoi gjithashtu se një punë e madhe është bërë në luftën kundër korrupsionit. “Sot, qeveria shqiptare është jashtë konfliktit të interesit. Një seri procedurash janë dixhitalizuar, si prokurimet, taksat, doganat dhe po vazhdohet me të tjerat. Raporti i fundit i BE-së dëshmon se kjo qeveri nuk ndërhyn në sektorin privat, pra nuk ka më klientelë, nuk ka më kapje. Shqipëria ka bërë një luftë të suksesshme kundër evazionit, kundër kontrabandës, informalitetit, megjithë uljen drastike të taksave të ardhurat buxhetore janë rritur nga 22-27 për qind, apo edhe më shumë se 1 miliardë dollarë, sikurse janë shkurtuar në mënyrë të ndjeshme për administratën”- vuri në dukje kryeministri Berisha. Duke theksuar se sërish ka korrupsion, por lufta kundër tij është dominuese, Kryeministri u shpreh se janë dhjetëra e dhjetra zyrtarë, të cilët përballen me ligjin për akte korruptive. “Unë ju siguroj se ligji nuk do të kursejë asnjë nga zyrtarët që shkelin kontratën e tyre me qytetarët shqiptarë. Ne jemi të vendosur të shndërrojmë Shqipërinë në një vend tërheqës për investimet e huaja. Kemi vendosur barrën fiskale më të ulët në Europë. Në 15 vite ne i kemi ofruar Aleancës të gjitha lehtësitë që mund të ofrohen dhe që i nevojiteshin me politikën e saj gjatë këtyre 15 viteve. Shqipëria ka qëndruar në anën e paqes dhe stabilitetit dhe ka dhënë kontributin e saj modest”, theksoi kryeministri Berisha, duke vënë në dukje se njësitë e saj janë të shpalosura në të gjitha zonat ku është NATO. “Ne në vitin 2010 do të kemi një ushtri profesioniste, e cila do të mund të marrë edhe më gjerësisht pjesë në të gjitha veprimtaritë e paqeruajtësve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Shqipëria sot është një vend që eksporton paqe dhe stabilitet. Ndaj dhe kemi shumë shpresë se në Samitin e Bukureshtit do të marrim ftesën. Ky është interesi më i madh i Shqipërisë, interesi më i mirë i rajonit, por ky është edhe interesi i Aleancës së Atlantikut të Veriut me zgjerimin në një rajon, i cili nga një rajon konfliktesh është shndërruar në një rajon paqeje dhe stabiliteti”, përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›