E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi i Ballkanit në NATO, garanton një të ardhme të sigurtë për kombet tona, pas vuajtjeve në të shkuarën

Kryeministri Sali Berisha ka shprehur optimizmin e tij të thellë se vendi ynë do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO gjatë samitit të Bukureshtit, në fillim të muajit prill. Gjatë një konference me temë “Siguria dhe Zhvillimi i Ballkanit Perëndimor”, Berisha vuri në dukje se marrja e ftesës do të prodhonte paqe dhe stabillitet për gjithë rajonin. Megjithatë, kryeministri u shpreh realist kur tha se prioritet për kabinetin e tij mbetet lufta kundër korrupsionit. Kreu i qeverisë deklaroi se “garantimi i kufijve është interesi më i mirë i popujve të Ballkanit, që i çon ata në mënyrë progresive drejt konsolidimit të sigurisë së tyre”. Gjatë punimeve të forumit, kreu i qeverisë u shpreh se “Ballkani ecën drejt hapësirave të sigurisë, duke i ofruar atij mundësitë e integrimit në NATO dhe BE. “Puna e bërë gjatë këtyre viteve nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia ka marrë një vlerësim pozitiv nga vendet anëtare të NATO-s dhe shpresat janë shumë të mëdha që në Samitin e Bukureshtit të marrim ftesën për anëtarësimin në NATO”, tha Kryeministri. Sipas tij, shpresat janë të mëdha që edhe problemi që ekziston për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë do të marrë një zgjidhje gjatë këtyre pak javëve që kanë mbetur. “Integrimi i vendeve tona në NATO përbën realizimin e një ëndrre të vërtetë të kombeve tona, por përbën dhe të ardhmen më të sigurt të këtyre vendeve që kanë vuajtur në të shkuarën e tyre, përbën një mundësi më të madhe për të ndërtuar në liri dhe në paqe të ardhmen e tyre”, theksoi në këtë drejtim Kryeministri Berisha. Sipas tij, kjo është garancia më madhore për një të ardhme të sigurt, përbën një siguri për NATO-n në krahun jugor dhe në tërësi duke sjellë në kombet e familjes së Atlantikut të Veriut, vlera të qarta, shtesë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, duke vlerësuar se çështja e sigurisë është çështja e parë e çdo individi, kombi, rajoni e më gjerë, tha se “duke patur parasysh situatën në të cilën ndodhemi, asnjë rajon tjetër nuk ka bërë hapa më të fuqishme drejt sigurisë se sa Ballkani”. Duke u ndalur në situatën në Ballkan, Kryeministri tha se shtetet e Gadishullit kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje serioze që konfliktualitetin ta zëvendësojnë me integrimin, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin. Shtetet e Ballkanit në tërësinë e tyre punojnë për dy projekte të përbashkëta, projektin e anëtarësimit të tyre në NATO dhe projektin e integrimit në BE. “Sërish nuk mund të themi se Ballkani është rajoni i sigurisë së lartë. Sërish në Ballkan ka sfida reale sigurie. Mendoj se sot kusht kryesor për konsolidimin e sigurisë në këtë rajon është respektimi i kufijve aktualë ndërkombëtarë të tij”, tha më tej Kryeministri. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se respektimi i lirive dhe të drejtave të minoriteteve përbën një nga kushtet më themelore të këtij Gadishullit për paqen dhe stabilitetin e tij. “Shtetet e Ballkanit janë të gjitha të pasura me minoritete, në këtë kontekst konsolidimi i standardeve ndërkombëtare ndaj minoriteteve, garantimi i lirive dhe të drejtave të tyre përbën një kusht themelor për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, theksoi Kryeministri Berisha, duke vënë në dukje rëndësinë e veçantë që ka në këtë kontekst Marrëveshja e Ohrit. Kryeministri u shpreh se zbatimi i kësaj marrëveshje ka njohur progres të vërtetë. “Kjo marrëveshje ka bërë që shqiptarët të gëzojnë liritë dhe të drejtat që nuk i kanë pasur më parë në Republikën e Maqedonisë”, tha më tej Berisha. Ai shprehu bindjen se “progresi i mëtejshëm do ta shndërrojë atë në një marrëveshje paqeje dhe stabiliteti për vendin mik, si dhe për stabilitetin për të cilin jemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe të interesuar thellësisht në konsolidimin e tij”. Ndërkaq, të njëjtën linjë mendimi ndoqi edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Ëithers. Ai nënvizoi se kryerja e reformave është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe vendet e rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›