Reportazhi/Ky mars i mallkuar që nuk resht së marri jetë njerëzish!
Pasi ka festuar ditën e Verës, Tirana sot është zgjuar e qetë, dielli ndriçonte fort duke paralajmëruar një verë të parakohshme. E shtunë, fundjavë, secili nga në ka menduar të pushojë, të dalë jashtë qytetit për t’u çlodhur, apo për të bërë gjëra të tjera, mundësi që ta krijon vetëm fundjava. Kot nuk thonë që gjërat nuk shkojnë asnjëherë ashtu siç i mendon. Ende pa ardhur mes dita, Tirana dhe gjithë zonat për rreth saj, madje dhe Durrësi ndjenë një tronditje të fortë, tronditje që i ngjante tërmeteve të mëdha me shkallë të lartë sizmike. Në këto momente njerëzit ishin të kudo ndodhur, në shtëpi, në rrugë, në bare, kishte prej tyre që merreshin me punë të ndryshme. Për një çast gjithçka ndali, askujt nuk do ti kishte vajtur mendja se në fshatin Gërdec të qarkut të Tiranës do të kishte ndodhur një tragjedi e vërtetë. Vetëm para pak ditësh me 6 mars po në rrethinat e Tiranës, pikërisht në liqenin e Farkës, ndodhi një tragjedi e cila shoi disa jetë njerëzish, shoi disa familje, njerëz që u mbytën në mënyrë të tmerrshme në liqenin e Farkës nga një pakujdesi njerëzore, kishte mes tyre dhe fëmijë, fëmijë që s’ishin veçse engjëj të cilët nuk e kishin nisur ende rrugën e vështirë të jetës. Kjo ngjarje e tronditi fort opinionin publik shqiptar, ku gjithë politika media dhe njerëzit e thjeshtë shprehën solidaritetin me të thellë për të afërmit e tyre. Jehona e kësaj ngjarjeje të rëndë u pasqyrua deri dhe nga mediat mbarë botërore. Kur u mendua se gjërat deri diku po i ktheheshin normalitetit, sigurisht duke mbartur në vetvete dhimbjen, një tjetër goditje vjen befas, këtë radhë goditja ishte më e fortë, ishte si një goditje luftarake, një depo e tërë armatimesh shpërthen në fshatin Gërdec shumë pranë Vorës. E gjithë policia ushtarake, forcat special, ato të armatosura nisen për në vend ngjarje, ambulanca të tëra që rendin drejt vendngjarjes për të shpëtuar jetë njerëzish, helikopterë që fluturonin në ajër, sirenat e alarmit binin kudo. Gjithcka ngjante si një front lufte, një luftë që bëhej pa kundërshtare, një luftë që bëhej për të mbijetuar. Ndërkohë qytetarët e thjeshtë ndiqnin në ankth zhvillimet që po ndodhnin të pasqyruara nga media. Pamjet ishin rrënqethëse, njerëz të djegur, njerëz të gjymtuar, njerëz që kishin humbur të afërmit e tyre, shtëpi të rrënuara, gjithcka e shkatërruar tërësisht. Trragjedia shqiptare vazhdon. A mos fati është treguar i ashpër me ne, apo jemi ne që nuk dimë të kujdesemi për veten? Ndoshta shumë prej atyre familjeve të ndodhura pikërisht në zemër të rrezikut nuk e kanë ditur që po i ndërtonin shtëpitë mbi municione shpërthyese, duke menduar të nisnin një jetë të re aty ku ishin vendosur. Ndoshta në këtë moment fjalët do të ishin të tepërta, më të rëndësishme do të ishin veprat, vepra që do të kishin shmangur këtë tragjedi të paparashikuar. Le të solidarizohemi të gjithë dhe të vihemi në shërbim të këtyre njerëzve fatkeqë. Gjëja më minimale është t’u dhurojmë gjak të plagosurve dhe të mbijetuarve, pasi kjo është një mënyrë për të shpëtuar jetë njerëzish, njerëz që sot më shumë se kurrë kanë nevojë për ne.Të bashkohesh me dhimbjen njerëzore nuk do të thotë vetëm të na vijë keq për se largu. Ka shumë prej atyre që kanë nevojë dhe për një strehë pasi shtëpitë e tyre janë rrënuar, kanë nevojë për një pikë ujë pasi goja u është tharë nga të qarët dhe ngashërimi, për një fjalë të mirë që ti ndihmojë të rimarrin veten. Të gjithë mund të bëhemi të vlefshëm, në një mënyrë apo një tjetër, dhe ti gjendemi njeri tjetrit së paku në një ditë si kjo e sotmja, duke shpresuar që gjëra të tilla të mos përsëriten më kurrë!
Nga Silvana Tresa