E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha:Të zgjidhet pronësia e pyjeve

Kryeministri Berisha ka kërkuar sot dhënien e pyjeve dhe kullotave pronarëve, si dhe për të përcaktuar kriteret më të drejta të shfrytëzimit, menaxhimit, qëndrimit ndaj tyre.  Në një takim me ministritë dhe institucionet e ngarkuara për zbatimin e procesit të transferimit të pyjeve dhe kullotave në varësi të pushtetit vendor, kryeministri Berisha bëri të ditur se gjatë 5-6 viteve të fundit janë transferuar në pronësi të pushtetit lokal rreth 800 mijë ha pyje dhe kullota ose 50 % e fondit të tyre.
 

Duke e vlerësuar pozitive përvojën e administrimit të pyjeve dhe kullotave nga pushteti vendor, Kryeministri theksoi se mbetet ende një punë e madhe për të bërë në drejtim të përmirësimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të kësaj eksperience.
“Pyjet janë një pasuri e madhe kombëtare e çdo vendi. Sot ato marrinë një rëndësi të jashtëzakonshme në një kohë kur planeti përballet me ndryshime të mëdha të klimës dhe faktikisht pyllëzimi dhe pyjet janë një levë e fuqishme për të mundur që të ndikohet në zvogëlimin e pasojave të rënda të këtij fenomeni.” u shpreh Kryeministri.
 

Kryeministri kërkoi nga ministria përkatëse dhe institucionet e lidhura me të që ky të jetë viti i zgjidhjes përfundimtare, në vija të përgjithshme, të problemeve të pronësisë së pyjeve. Ai  u shpreh se është shumë e rëndësishme përcaktimi sa më parë i sipërfaqeve pyjore, të cilat do të mbeten publike, duke theksuar se qeveria qendrore nuk mund të administrojë më shumë se 10 % të pyjeve në të gjithë vendin. “Qeveria nuk do të mund të ketë më shumë se 10 % të pyjeve. U takon ju, së bashku me institucionet e varësisë të përzgjidhni këtë 10 % se cila do të jetë, por më shumë se kaq nuk mund të administrojë. Ky është një standard kudo në vendet e BE. Ky standard është që pyjet u përkasin komunave dhe bashkive.”, u shpreh kryeministri.
 

Duke ritheksuar nevojën e transferimit sa më të shpejtë të pyjeve dhe kullotave, pushtetit vendor, si dhe përshpejtimin e procesit të privatizimit të pyjeve, kryeministri tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet që viti 2012 ta gjejë Shqipërinë një nga vendet me pronësitë publike më të ulëta në Evropë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›