E Diel, 1 Nëntor 2026

Berlini dhe Moska, marrëveshje miliardere në ekonomi

Nënshkrimi

Në këshillimet e tyre qeveritare, Gjermania dhe Rusia u morën vesh për bashkëpunim më të ngushtë në ekonomi dhe lidhën kontrata në nivel miliardash. Në prani të Kancelares Angela Merkel dhe të shefit të Kremlinit, Dmitri Medvedev, koncerni “Siemens” nënshkroi një marrëveshje për 240 trena rajonalë me vlerë 2,2 miliardë euro. Sipërmarrja planifikon gjithashtu me dy partnerë lokalë krijimin e një firme të përbashkët në sektorin e energjisë së erës. Deri në 2020-n, Rusia do të investojë në këtë fushë të së ardhmes rreth pesë miliardë euro. Prej tyre, “Siemens”-i mund të përfitojë rreth një miliard euro. Në Dialogun e Petërburgut që zhvillohet paralelisht, Medvedev premtoi angazhimin e tij për respektimin e të drejtave të njeriut. Vendi im përpiqet t'i zgjidhë këto probleme, tha ai. Qeveritë e Gjermanisë dhe të Rusisë takohen për të 12-n herë. Përveç Kancelares Merkel, në takim marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle, dhe anëtarë të tjerë të kabinetit. Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Rusisë synohet të forcohen. Për këtë arsye, Angela Merkel është nisur me një delegacion të madh, të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të ekonomisë, për në këshillimet qeveritare gjermano-ruse në Jekaterinburg. Dy shtetet do të bashkëpunojnë më ngushtë para së gjithash në ekonomi dhe shkencë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›