E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet në brigjet e Himarës një anije mesjetare

Ekspedita

Ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve arkeologjike nënujore bën me dije se nëpërmjet robotit të anijes amerikane, “Herkules”, ka zbuluar relitin e një anijeje mesjetare të mbytur në brigjet e Himarës. Ky relit arkeologjik është anija e vetme deri më tani e zbuluar në Shqipëri, që i përket një periudhe midis shekullit XVI dhe atij XVII. Ky zbulim bën të mundur sjelljen e të dhënave të reja në historinë mesjetare të këtyre brigjeve. Kjo anije ka qenë e pajisur me topa të vendosur në të dyja anët e kuvertës së saj. Po kështu, përmes pamjeve të filmuara nga roboti, vihet re se një spirancë me përmasa të mëdha gjendet pranë relitit arkeologjik. Të dhënat e para që vijnë nga fotot konfirmojnë faktin se anija mund të ketë qenë pjesë e një flote ushtarake. Deri më tani janë zbuluar 5 topa, të cilët japin përshtypjen se anija ka qenë e armatosur mirë dhe me përmasa të mëdha për kohën. Arkeologët e ekspeditës mendojnë se me të dhënat paraprake mund të thuhet se anija mund të ketë qenë pjesë e një prej flotave më aktive në këto brigje. Sipas tyre, kjo anije mendohet se mund t’i përkasë flotës veneciane, otomane, por nuk përjashtohet edhe mundësia e flotës spanjolle. Koordinatori i kësaj ekspedite, Auron Tare, shprehet se zbulimi më i fundit sjell edhe një herë në vëmendje rëndësinë e madhe që do të ketë themelimi i një muzeu të arkeologjisë nënujore.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›