E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushqimet në pikat ambulante, të rrezikshme

Drejtoria e Shëndetit Publik, në gatishmëri për të verifikuar kushtet higjieno-sanitare të pikave ushqimore

Sezoni veror ka nisur me një seri aksionesh në të gjitha pikat ku tregtohen produkte ushqimore. Shkak për këtë është bërë regjistrimi i një numri të konsiderueshëm qytetarësh, të cilët janë helmuar si pasojë e konsumimit të produkteve ushqimore të pakontrolluara. Këto inspektime kanë si qëllim parësor evidentimin dhe verifikimin e kushteve higjieno-sanitare, në të cilat ruhen dhe shiten produktet ushqimore si djathi, vaji i ullirit, qumështi dhe buka. Madje, së fundmi, sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik, rrezik për shëndetin e popullatës përbën edhe konsumimi i ujit të ambalazhuar. Ky kontroll i detajuar konsiston jo vetëm në verifikimin e këtyre produkteve, por edhe në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit, i cili është i rrezikuar, për shkak të përdorimit të pakontrolluar të ushqimeve që shiten aktualisht në vendin tonë. Këto monitorime janë iniciativë e Ministrisë së Bujqësisë, Inspektoratit Kombëtar të Ushqimit, Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe Drejtorisë së Higjienës. Inspektimet e deritanishme kanë evidentuar problematika nga më të ndryshmet. Madje, në pikat ambulante janë marrë edhe masat përkatëse për parandalimin e tregtimit të këtyre produkteve. Burime nga këto institucione bëjnë të ditur se inspektime të tilla do të vijojnë për gjatë gjithë verës, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.

Shëndeti Publik

Drejtoria e Shëndetit Publik ka nisur një aksion për analizimin e ujit të ambalazhuar që tregtohet në kryeqytet. Sipas drejtorit Mhill Gecaj, prej disa ditësh janë marrë sinjalizime se disa subjekte tregtojnë ujë të ambalazhuar jashtë standardeve, duke rrezikuar rrjedhimisht shëndetin e popullatës. “Qytetarët duhet të bëjnë kujdes edhe me ujin e depozitave, që nuk duhet të konsumohet në mënyrë kategorike, pasi është i dëmshëm. Për sa i përket ujit të pijshëm, që vjen aktualisht nga ujësjellësi, sipas Gecajt situata paraqitet e qetë. Nga 31 pikat e monitoruara deri më tani në pjesën më të madhe të zonave të kryeqytetit, thuhet se uji është i pastër dhe se mund të konsumohet nga qytetarët pa kurrfarë hezitimi.

Ministria e Bujqësisë

Inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë kanë nisur kontrollet për verifikimin higjieno-sanitar të produkteve bulmetore që shiten në tregjet e vendit. Kjo iniciativë ka ardhur si pasojë e konstatimit të një numri të konsiderueshëm të personave të helmuar, për shkak të përdorimit të produkteve ushqimore të pakontrolluara. Një ekip i përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë së Sigurisë Ushqimore, Inspektoratit të Sigurisë në Drejtorinë e Tiranës, sektorit të higjienës nga Ministria e Shëndetësisë, e ushtruan kontrollin e parë në tregun ushqimor pranë ish–uzinës “Dinamo” në kryeqytet. Në përfundim të këtij vëzhgimi rezultoi se dy subjekte tregtuese të bulmetit kishin probleme me nënproduktin e djathit, i cili kishte përmbajtje amidoni. Masat që u morën ndaj tyre, ishin gjoba që varionin nga vlera të caktuara parash.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit

Kontrolli i furrave të bukës dhe kushteve higjieno-sanitare, në të cilat bëhet ruajtja dhe tregtimi i produkteve ushqimore, ishin në qendër të aksionit që ka ndërmarrë Inspektorati i Kontrollit Ushqimor së fundmi. Vëzhgimi ka nisur nga rruga e Kavajës deri në Kombinat, duke trokitur te të gjitha furrat e bukës që ndodhen në këto zona. Objektivi i këtij kontrolli synon sidomos evidentimin e problemeve në lidhje me sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore. Por, mbi të gjitha, ai ka për qëllim marrjen e masave për eliminimin e fenomeneve, që cenojnë shëndetin dhe interesat e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›