E Diel, 1 Nëntor 2026

Berlini garanton: Marrëdhëniet me Prishtinën nuk do të cenohen

Mediat gjermane: Tre gjermanët bashkëpunëtorë të Shërbimit të Fshehtë, BND. Çështja do të diskutohet të enjten në Entin Parlamentar për Kontrollin

Blerina Olldashi
Marrëdhëniet bilaterale mes Berlinit dhe Prishtinës nuk do të cenohen nga arrestimi i shtetasve gjermanë në Kosovë. Kjo ka qenë deklarata e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme gjermane Thomas Steg. “Unë mendoj se ky rast nuk do të ketë asnjë pasojë negative ndaj marrëdhënieve tona bilaterale. Besoj se do të arrijmë një zgjidhje mbi bazën e marrëdhënieve bilaterale. Është absurde të mendosh se qeveria gjermane qenka përfshirë në sulme terroriste jashtë shtetit”, - tha Steg në Berlin, duke refuzuar disa herë të komentonte spekulimet në media për përfshirjen në BND të tre gjermanëve të arrestuar. Qeveria gjermane megjithatë vazhdon të heshtë në lidhje me rastin e tre të arrestuarve në Kosovë. Të enjten, çështja pritet të sqarohet në Entin Parlamentar për Kontrollin ndaj Shërbimit të Fshehtë. Mediat gjermane kanë raportuar dje se tre gjermanët e paraburgosur në Kosovë janë agjentë të BND-së dhe ishin vendosur në Kosovë si bashkëpunëtorë të një firme të rreme me emra të tjerë, të cilët nuk figurojnë të regjistruar. Një analist gjerman ka sqaruar se shërbimi i fshehtë në vendin e tij ka dy lloje bashkëpunëtorësh jashtë shtetit: “Njëri lloj janë të ashtuquajturit bashkëpunëtorë ndërlidhës. Këta regjistrohen në qeveritë e secilit vend dhe zakonisht janë rezidentë pranë ambasadave. Ata duhet të ruajnë kontaktet me organet e sigurimit të secilit vend. Pastaj ka edhe nga ata që punojnë fshehurazi, që bëjnë hetimet e tyre më vete. Të tillë ishin edhe tre bashkëpunëtorët e arrestuar në Prishtinë”.
Deputetët në Berlin kanë shprehur habinë e tyre lidhur me këtë rast pasi tre gjermanët jo vetëm që nuk u liruan menjëherë, por ata po mbahen edhe 30 ditë të tjera në arrest. Sipas tyre, përgjegjësia bie mbi organet në Kosovë si një intrigë. “E tëra bie erë moçali intrigash, të cilat mund të kenë të bëjnë me qeverinë kosovare dhe interesat e saj, ose shërbimet e tjera të fshehta, ose me sistemin e atjeshëm juridik”, - është shprehur një nga deputetët në Berlin. Deputeti socialdemokrat Tomas Oberman është shprehur se është në dijeni se në Kosovë janë vendosur bashkëpunëtorë të BND-së, por kjo është e nevojshme për sigurinë e ushtarëve gjermanë në Kosovë dhe çfarë ka ndodhur në të vërtetë duhet të sqarohet në Entin Parlamentar. Tre të arrestuarit rrezikojnë të dënohen me 10 vjet burg në rast se vërtetohen aktivitete terroriste të tyre. Megjithatë, ata këmbëngulin në pafajësinë e tyre dhe se në vendngjarje kishin kërkuar vetëm për të dhëna.

Solana: “EULEX-i në Kosovë, mundësisht më 2 dhjetor”

“Vendosja e EULEX-it do të fillojë sa më shpejt në fillim të dhjetorit, mundësisht më 2 dhjetor”, - kështu ka deklaruar shefi i diplomacisë europiane, Havier Solana, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kreun e NATO-s, Jap de Hop Shefer.
Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, misioni i BE-së, EULEX, do të vendoset në të gjithë territorin e Kosovës sipas planit të veprimit, të miratuar kohë më parë. I pyetur nëse do të vendoset EULEX-i në tërë territorin e Kosovës dhe cilat ligje do të zbatojë, Solana u përgjigj se kishte biseduar rreth kësaj çështjeje në Nju York me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. “Pres që raporti të paraqitet sa më shpejt që të jetë e mundur, por nuk më takon mua të them se kur”.
Ai më pas tha se ishte takuar edhe me gjeneralin francez, Iv de Kermabon, i cili është aktualisht shefi i EULEX-it.

Sejdiu i sugjeron Ki Munit të shqyrtojë planin 4-pikësh

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i bëri thirrje sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, që të mbajë qëndrim objektiv ndaj propozimit të palës kosovare. Deklarata u bë pas takimit me kryeministrin e Estonisë, Andrus Ansip, i cili ndodhej në Kosovë për një vizitë zyrtare. Presidenti Sejdiu tha se nga seanca e radhës të Këshillit të Sigurimit për Kosovën pret një trajtim adekuat të çështjeve të parashtruara në 4 pikat e Prishtinës e që kanë të bëjnë me vendosjen e EULEX-it dhe të përmbyllet me sukses misioni i Kombeve të Bashkuara. “Pres një trajtim të mirë të të gjithë asaj që kemi shtruar në procesin e zhvilluar deri tani. Është koha të përmbyllet përpjekja për vendosje sa më të shpejtë të EULEX-it në Kosovë dhe që realisht të përmbyllet suksesshëm edhe misioni ndërkombëtar i UNMIK ut”, - tha Sejdiu. Ai theksoi se pret që kjo periudhë kohore të “jetë shumë e shpejtë” dhe shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për një bashkëpunim sa më të ngushtë në shtrirjen e EULEX-it në të gjitha pjesët apo integritetin territorial të Kosovës. Në seancën e Këshillit të Sigurimit që do të zhvillohet për Kosovën, ditën e mërkurë, do të marrë pjesë ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni. Pala kosovare do të kundërshtojë planin gjashtëpikësh dhe do të prezantojë planin katërpikësh të institucioneve të Kosovës për vendosjen e misionit europian.

Egjipti bllokon pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën Islamike

Me gjithë miratimin në parim nga Sekretariati i OKI-t se një delegacion i Kosovës nga Ministria e Punëve të Jashtme mund të merrte pjesë në Konferencën e Dytë të ministrave të Jashtëm të vendeve të Konferencës Islamike, në Kajro, më 24 dhe 25 nëntor, Republika Arabe e Egjiptit ka bllokuar pjesëmarrjen e kosovarëve për arsye politike. Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja kosovare “Koha Ditore”. Mësohet se kërkesa për pjesëmarrjen e një delegacioni nga MPJ e Kosovës si mysafir u bë nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Riad, te Sekretariati i OKI-t në Xhedah, e cila më pas i ka përcjellë këtë notë verbale Përfaqësisë së Republikës Arabe të Egjiptit në po të njëjtin vend. Mirëpo thuhet se pala egjiptiane ka lënë të kuptohet se përgjigjja do të jetë negative për arsye politike.
Zyrtarë të MPJ-së konfirmuan se një delegacion i Kosovës duhej të udhëtonte për të marrë pjesë në këtë konferencë, i kryesuar nga zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, por pas marrjes së lajmit për qëndrimin negativ të Egjiptit udhëtimi është anuluar.

Bosnja në krizë, 700 shkurtime nga puna

Rreth 700 punonjës të industrisë boshnjake u pushuan nga puna për arsye të krizës financiare ndërkombëtare. Lajmi u bë i ditur nga shtypi boshnjak. “Afro 700 punëtorë kanë humbur tashmë punën e tyre në sektorin industrial”, - deklaroi Jago Lasiç, drejtor i Dhomës Ekonomike boshnjake, cituar nga e përditshmja “Dnevni Avaz”. Lasic nuk saktësoi se cilët sektorë të industrisë janë prekur, por paralajmëroi se do të kishte dhe pushime të tjera nga puna. “Nëse investimet bien, aktiviteti i kompanive do të ngadalësohet, pushimet nga puna do të jenë përgjigjja e parë”, - tha ai. Bosnja numëron afërsisht 3,8 milionë banorë. Papunësia ka prekur rreth 40 për qind të popullsisë aktive në këtë ish-republikë jugosllave, ekonomia e së cilës vuan ende pasojat e luftës ndërkomunitare të vitit 1992-1995.

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›