E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet traktori i zhdukur në Japoni, ndalohet pronari



KORÇË – Pronari i një kompanie private ka tentuar të fusë në pikën doganore një traktor të vjedhur, por është bllokuar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se pas procedurës së verifikimit në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, të traktorit të markës “Kubota”, model “22.5 KP” me origjinë nisje nga Japonia dhe destinacion Shqipërinë, rezultoi se mjeti ishte në listën e shpallur në kërkim nga Interpoli. Sipas tyre, dokumentet e traktorit janë paraqitur në pronësi të firmës “Gerta I Sh.p.k.”, me pronar Kujtim Xhutin, 51 vjeç, nga fshati Zvezde Korçë dhe banues në Tiranë. Ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës.

I dehuri qëllon me kallash, i vihen prangat

DURRËS – Një i ri, pasi ka pirë në lokal, ka qëlluar me armë zjarri në ajër duke prishur rendin dhe qetësinë, por më pas ai është prangosur. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se tri ditë më parë është arrestuar shtetasi Alfons Nik Brahja, lindur dhe banues në fshatin Draç të komunës së Ishmit. Sipas tyre, prangosja e 21-vjeçarit Brahja është bërë për arsye se rreth orës 19:00 të datës 21 nëntor, në afërsi të një kthese, e cila të çon në fshatin Shetaj, ka qëlluar me armë zjarri. Nga hetimet e para rezultoi se Brahja, pasi kishte pirë në një lokal, ka marrë armën dhe ka qëlluar në ajër në gjendje të dehur. Policia arrestoi Brahjan dhe në cilësinë e provës materiale sekuestroi 13 gëzhoja dhe një automatik model 56. Ai akuzohet për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

25 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›