Greqia përgatitet për mbrojtjen para GJND-së
Padia e Maqedonisë ka bërë që Greqia të përgatitet për t’u mbrojtur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, për mosrespektimin e marrëveshjes së përkohshme të vitit 1995 për çështjen e emrit. Qeveria e Greqisë ka caktuar ambasadorin e saj në Holandë Kostantinos Ralis dhe këshilltaren shtetërore për çështje juridike, Marija Telalijan, si përfaqësues shtetërorë në Gjykatën e Hagës. Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Emanuel Rukunas, është caktuar për lëndën që ka të bëjë me padinë e Shkupit ndaj Athinës lidhur me mosrespektimin e marrëveshjes dypalëshe të vitit 1995 për çështjen e emrit. Sipas autoriteteve qeveritare në Maqedoni, Greqia ka shkelur marrëveshjen që ndalon bllokimin e anëtarësimit të shtetit maqedonas në NATO dhe BE.
Qeveria greke bëri të ditur dje se do të bashkëpunojë me një ekip të njohur të juristëve ndërkombëtarë dhe të profesorëve universitarë të specializuar në të drejtën ndërkombëtare. Në komunikatën e qeverisë në Athinë thuhet se do të formohen dy ekipe për të këshilluar dhe mbështetur ekipin e juristëve ndërkombëtarë edhe për aspektet historike të rastit.
25 Nentor 2008